Rezart Taçi shet sërish Parmën

 

Një tjetër goditje është shënuar sot në mëngjes në futbollin italian. Pronësia e klubit italian Parma ka ndryshuar sërish. Rezart Taçi i ka shitur sërish aksionet e shoqërisë në një tjetër kompani ruso-slloven me kapital italian. Njoftimi u dha sot në mëngjes në një konferencë shtypi në ambientet e klubit. “Një balet i pabesueshëm” – shkruan Corriere që nënvizon se ende nuk është bërë e qartë cila është kjo kompani që ka blerë klubin emilian. Edhe gazetarët në konferencë shtypi kanë këmbëngulur për të mësuar më shumë mbi pronarët e rinj të klubit. Shtyhet në këtë mënyrë edhe 10 ditë afati për të bërë pagesat e pagave të prapambetura. Limiti tashmë është vënë 15 shkurti ndërsa klubi rrezikon falimentimin në mes të kampionatit shkruajnë tashmë mediat italiane.   

Borxhet e Parmës

Rezart Taçi qëndronte pas fondit ruso-qipriot "Dastraso Holding", i cili bleu para pak kohësh klubin e Serisë A ia ka shitur atë një grupi ruso-slloven me kapital italian. Motivi kryesor për shitjen ka qenë mospërputhja e bilanceve financiare në momentin e dorëzimit të Parmës me atë që është faktuar në pas. Fillimisht kur klubi emilian u ble nga “Dastraso Holding” borxhet zyrtare të tij ishin deklaruar zyrtarisht në shumën e 80 milionë eurove por pas verifikimeve financiare të kryera nga administratorët e rinj u konstatua se në të vërtetë borxhet ishin më shumë se dyfishi i kësaj shifre me Parmën që mendohet se ka rreth 200 milionë euro detyrime. Në to përfshihen pagat e prapambetura të lojtarëve por dhe detyrime të tjera ndaj sistemit fiskal italian si dhe furnitorëve të klubit.

“La Repubblica”: Parma rrezikon falimentimin në mes të kampionatit

“Shpresat po shuhen, falimentimi është afër, të rënduar nga borxhi 6-mujor ndaj lojtarëve, madje rreziku është për të mos e përfunduar kampionatin”. Kështu nis sot një artikull i gazetës italiane “La Repubblica” me titullin “230 lojtarë për një faliment” bën një panoramë të situatës te klubit emilian që rrezikon tashmë as të mos e mbyllë kampionatin për shkak të borxheve. “Parma po zhduket, një hap larg lamtumirës, klubi që në vitet “90 ishte i aftë të bënte histori edhe në Europë duke qenë i aftë të sfidonte klube si Juventus, Lazio, Roma, Inter dhe Milan. Një klub i mbyllur dhe i rrënuar nga një administrim sportiv i rrëmujshëm, të cilit edhe ndërrimi i pronësisë nuk i ndryshoi asgjë, përkundazi. Taçi hesht, pagat nuk vijnë, llogaritë qahen me lot të hidhur. Kjo edhe pse pronarët e rinj janë në drejtim që nga fillimi i dhjetorit. Nga ajo periudhë situata është njëlloj, në mos më keq, me rroga të bllokuara dhe lojtarë që kanë arritur të padisin shoqërinë. Në origjinën e krizës janë 230 lojtarë që figurojnë në pasqyrat e borxheve të kompanisë dhe që nuk janë shlyer nga klubi” – shkruan “La Repubblica”.

Rruga e gabuar e Parmës

“La reppublica” shkruan se “Parma është në bisht të Europës dhe vetëm me 9 pikë të grumbulluara. Asnjë skuadër në kontinentin e vjetër nuk ka koleksionuar kaq pak. Një situatë që ka lindur si pasojë e një menaxhimi sportiv të rrënuar vitet e fundit dhe që nuk mundi të mbështetej financiarisht. Mjafton vetëm një numër për ta treguar. 230 lojtarë në pronësi, kaq shumë kishte Parma në fillim të kampionatit të kaluar. Një shifër e çmendur megjithëse jo e vetme në panoramën e Seria A. Lojtarë të shpërndarë nga “Lega Pro” në “Serie B”. Një politikë e frymëzuar nga teknikët në pronësinë e Ghirardit që ndiqte utopinë për të zbuluar talente nga brenda dhe për t’i shitur ata me çmime më të larta. Djem të marrë nga kampionate minorë, madje edhe nga diletantë. Mes tyre, të rinj me perspektivë, por edhe 30-vjeçarë pa asnjë shpresë. Ky është elementi më i diskutueshëm i projektit. Është pak a shumë si “të kërkosh gjilpërën në kashtë”. Një sistem i inauguruar në verën e vitin 2012, por në kundërshtim me rrymën dhe rregullat që po ndryshonin. “Çatia” e detyrimeve në Seria B dhe kontributet në “Lega Pro” detyronin pagesat totale nga ana e shoqërive titullare, i kthyen ata djem në një barrë të rëndë për shoqërinë. Me gjithë përjashtimet që u bënë verën e kaluar nga 230 mbetën 130 lojtarë në këtë shoqëri. Ka dhe një plan që lojtarët në pronësi të mbeten vetëm 70. Gjithsesi janë detyrimet kundrejt këtyre lojtarëve të papaguar prej muajsh që me protestat e “Shoqatës së lojtarëve” shtojnë rrezikun e falimentimit në mes të kampionatit” – citon “La Repubblica”.

Parma nën drejtimin Taçit

“La Repubblica” shkruante një ditë më parë se parma ra në dorë të Taçit qëndrueshmëria ekonomike nuk i është vënë në diskutime, me një pasuri te 1.5 miliard euro dhe me bekimin e miqve të biznesmenit shqiptar të naftës Galliani dhe Lotito. Këshilli i “Lega” dhe “Federcalcio” shkruan lapsi.al se ishin në dijeni të biznesit dhe nuk reaguan për pagat e punonjësve, përkundrazi ato u mbuluan deri në 9 dhjetor datën e shitjes së shoqërisë, dhe ato të lojtarëve deri në 2 muaj para shitjes së saj (eksiton marrëveshja që ato mund t’i kalojnë edhe pronarit të ri). Me kalimin e kuotave te pronarët e rinj klubi duhej të shpëtohej, por situata nuk është përmirësuar, përkundrazi është zhytur në humnerë. Pronarët e rinj nuk lënë mënjanë as shpalljet apo njoftimet delirante (“Ishim gati të blinin Balotellin”) ka rritur borxhet te lojtarët si dhe ka grumbulluar të tjera. Duke arritur në gjendjen e sotme me njoftimin formal dhe rrezik falimentimi të një prej klubeve më të mëdha italianë të viteve “90”.

Afati i fundit për pagat

Situata ekonomike e Parmës mbetet e komplikuar me futbollistët e skuadrës së Donadonit që presin prej kohësh shlyerjen e detyrimeve financiare, duke vendosur një ultimatum deri në datën 15 shkurt dhe paralajmëruar se nëse nuk paguhen deri në atë datë do të nisin veprimet ligjore për marrjen e pagave.

SHKARKO APP