Shqiptarët preferojnë mesazhet dhe telefonatat për të uruar Vitin e Ri

 

Në ndërrimin e viteve, shqiptarët do të përdorin mesazhet si mjetin më të preferuar të dërgimit të urimeve, ndërsa të tjerë shprehen se ata do të urojnë edhe përmes telefonatave rrethin më të ngushtë familjar.

“Këtë vit do të dërgoj urime me anë të mesazheve në celular sepse është një urim që mbetet dhe që i takon më pas personit ta ruajë atë apo jo përgjatë vitit,” tha për BIRN, Elidoni, 33 vjeç nga Tirana.

“Miqve të mi do t’u dërgoj nga një mesazh të personalizuar për Vitin e Ri dhe vetëm disa do t’i marr në telefon,” tha për BIRN Devisi, 23 vjeç nga Tirana.

Por jo të gjithë do të jenë kaq të veçantë, mesazhet që dërgohen janë shpesh të njëjta dhe të përbashkëta.

“Dërgimi i një mesazhi të përbashkët te shumë marrës është një nga mënyrat më praktike të urimit të Vitit të Ri. Në periudhën kur jetojmë nuk mendoj se njerëzit kanë kohë të shkruajnë një e nga një mesazhet”, tha për BIRN, Juliana, 21 vjeçe nga Durrësi.

Pas mesazheve, mënyra tjetër më e preferuar janë telefonatat.

“Ndonëse me zemër do t’u dërgoja miqve kartolina, shumë persona e quajnë këtë jashtë mode. Megjithatë nuk preferoj as mesazhet pasi duken shumë të thatë. Këtë vit do të përdor telefonatën sepse është spontane, emocionale dhe i ndjen njerëzit më pranë,” tha për BIRN Teuta, 41 vjeçe nga Durrësi.

“Një telefonatë urimi është më e ngrohtë, më e drejtpërdrejtë dhe më njerëzore se një mesazh i dërguar në mënyrë masive,” tha për BIRN, Thomai, 34 vjeç nga Tirana.

Por ka edhe nga ata që urimet e Vitit të Ri i shohin si një mundësi për të treguar mirënjohjen për njerëzit që i kanë shoqëruar përgjatë viteve dhe do të vazhdojnë të jenë pranë tyre.

“Këtë vit do të krijoj vetë kartolinat e mia në mënyrë artizanale për miqtë dhe njerëzit e mi të zemrës, sepse duke i përkushtuar kohën bërjes së kartolinave do t’i tregoj atyre sa të rëndësishëm janë për mua,” tha për BIRN, Mira, 31 vjeçe nga Tirana.

“Kartolina nuk është thjesht një mendim bardhezi, por një falënderim për njeriun të cilit ia dërgon dhe për çastet që ke ndarë me të”, shtoi ajo.

“Tradita e njerëzve që blinin kartolina për të uruar fundvitin është në rënie nga viti në vit. Blerësit tanë më të shumtë tani janë fëmijët, por gjithsesi numri i blerjeve është thuajse i papërfillshëm,” tha për BIRN, Beni, shitës në një kinkaleri në Tiranë.

Një traditë dikur shumë e përhapur shqiptare, por që tani ka filluar të zbatohet më pak dhe në qytete më të vogla janë edhe vizitat te të afërmit.

“Siç kemi bërë çdo vit, unë dhe familja ime do të vazhdojmë të urojmë të afërmit tanë duke i vizituar në datën 1 dhe 2 janar”, tha për BIRN Ermali, 29-vjeç.

“Pushimet e fundvitit janë rasti më i mirë për të kaluar kohë me familjen pasi ngarkesa e punës na merr të gjithë pjesën tjetër të vitit”, përfundoi ai.

SHKARKO APP