SPAK kundërshton në Gjykatë të Lartë rikthimin e Luan Dacit në detyrë

Prokuroria e Posaçme i konsideron argumentet e Apelit si sipërfaqësore dhe në kundërshtim me parashikimet ligjore për veprën e “falsifikimit të dokumenteve” –pa analizuar deklarimet e rreme të bëra prej tij.

Gjyqtari Luan Daci dhe avokati i tij, Jordan Daci gjatë masës së sigurisë në shkallën e parë. Foto: Edmond Hoxhaj.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK kundërshtoi në Gjykatën e Lartë vendimin për rikthimin në detyrë të gjyqtarit të KPA-së, Luan Daci, duke i konsideruar argumentet e Apelit si “sipërfaqësore” dhe jo në përputhje me parashikimet e Kodit Penal për veprën e “falsifikimit të dokumenteve”.

Në rekursin e ushtruar në Gjykatën e Lartë, një kopje e së cilës u lexua nga BIRN, prokurorët e SPAK pretendojnë se Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka marrë parasysh vlerën që pati dokumenti i aplikimit në procesin e përzgjedhjes së Luan Dacit, në kundërshtim me kriteret ligjore.

SPAK e akuzon anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit se ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit për pozicionin e tij, përmes paraqitjes së rrethanave të rreme si dhe mosdeklarimit të një mase disiplinore për largim nga puna të vitit 1997.

Një masë sigurie për pezullimin nga detyra të Dacit u rrëzua nga trupa gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara dhe Nertina Kosova, ndërkohë që gjyqtari Sokol Binaj ishte në minorancë.

Dy anëtarët e shumicës argumentuan se paraqitja e të dhënave të rreme gjatë procesit të aplikimin për një post në institucionet e vetingut nga Daci nuk ka elementë të veprës penale të falsifikimit. Sipas shumicës, mos-paraqitja, mos-shënimi apo mohimi i Dacit për masën disiplinore të largimit nga puna është një fakt që i mungon kundërligjshmëria.

Gjykata vlerësoi gjithashtu se hetimet e prokurorit nuk ishin zhvilluar mbi faktet e nevojshme që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale të falsifikimit të dokumentit nga Daci, por me hetimet që lidhen me ‘pozicionin e anëtarit të institucionit të rivlerësimit’, që u janë ngarkuar me ligj institucioneve që kishin detyrë të përzgjidhnin anëtarët e institucioneve të rivlerësimit.

Anëtari në pakicë i trupës, gjyqtari Sokol Binaj argumentoi se origjina e falsitetit në “kërkesën për aplikim” e ka prejardhjen në manipulimin e konkluzioneve të këtij dokumenti.

SAPK-u argumenton në rekurs se gjykata e trajtoi aplikimin e Z.Daci në kuptimin e ngushtë të paraqitjes së interesit, pa analizuar deklarimet e bëra nga ky i fundit në përmbajtjen e tij. SPAK sjell në vëmendje edhe parashikimet e pëcaktuara në “protokollin e procedurave të punës për vlerësimin se cili prej kandidatëve plotëson kriteret formale për institucionet rivlerësuese” – duke vlerësuar se, bazuar në këtë protokoll, kërkesa e Dacit merr vlerë të veçantë dokumentare. Në rekurs theksohet se kriteret formale të listuara plotësohen bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga aplikanti.

“…Gjykata e Apelit i shmanget analizës ligjore të faktit nëse neni 6/1, gërma (dh) e ligjit nr.84/2016 përbën një kriter ligjor që personi nën hetim në rastin konkret e ka plotësuar apo nuk e ka plotësuar. Mënyra se si Gjykata e trajton kërkesën e datës 03.02.2017 është aspak e pranueshme, pasi sipas logjikës së Gjykatës së Apelit aplikanti mund të deklarojë çfarë t’i vijë për mbarë dhe nuk mban përgjegjësi për ato që deklaron , a thua jemi para një ‘letre pa vlerë,” vlerëson SPAK, ndërsa shton se kërkesa sipas ligjit ka karakter dokumentar vërtetues.

Në rekurs thuhet se i vetmi moment kur është tentuar të verifikohet dokumenti i kërkesës së aplikimit, është në Komisionin Ad Hoc, kur kryetarja Vasilika Hysi e ka pyetur Dacin lidhur me largimin nga puna në vitin 1997 – ndërsa ai është përgjigjur se është larguar me dorëheqje, duke fshehur të vërtetën e shkarkimit.

“Ky kujdes i tij është i kuptueshëm, pasi ishte i vetëdijshëm se ekspozimi i masës disiplinore të largimit nga detyra e gjyqtarit për shkelje të ligjës dhe paaftësi në detyrë…, do të çonte në skualifikimin e menjëhershëm të tij,” argumenton prokuroria.

SPAK mban qëndrim edhe lidhur me konstatimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit se hetimet janë kryer jashtë kompetencave të caktuara. Sipas prokurorisë, gjykata mund të shprehej vetëm mbi objektin e gjykimit, “caktimin e masës së sigurisë” ndaj anëtarit të KPA, Luan Daci.

Në fund të rekursit, prokuroria i kërkon Gjykatës së Lartë që t’i tërheqë vëmendjen Gjykatës së Posaçme të Apelit, duke konsideruar se në këtë mënyrë ndërhyn në komptencat ekskluzive që ka prokurori gjatë hetimit paraprak.

SHKARKO APP