Studentët protestë para parlamentit kundër pr/ligjit për arsimin e lartë

Një grup studentësh kanë protestuar sot përpara parlamentit kundër pr/ligjit për arsimin e lartë. Sipas protestuesve, ky ligj ka tendencën të ulë fuqinë e studentëve në përfaqësimin e tyre. Sipas studentëve, projektligji i ri praktikisht shkarkon shtetin nga detyrimi për përballimin e kostove të studimeve të studentëve të publikut, duke ua kaluar këtë kosto vetë studentëve dhe familjeve të tyre dhe duke shkelur në këtë mënyrë me të dyja këmbët të drejtën themelore për arsim të lartë.
Sipas protestuesve, ky projektligj që në pikënisje të tij ka probleme, pasi përcaktohet roli i shtetit në arsimin e lartë dhe jo detyrimet e shtetit, siç është në ligjin aktual. “Ky projektligj i ri për herë të parë koston ua ngarkon studentëve për përballimin e studimeve të larta, pasi shteti tërhiqet nga një detyrim që e përcakton Kushtetuta”- thonë studentët.
Një kundërshtim i studentëve është edhe krijimi i Bordit Administrativ, pasi ul nivelin e përfaqësimit të universitetit dhe nuk parashikon përfaqësimin e studentëve. Veç asaj, ky draft u heq studentëve të drejtën e votës në për përzgjedhjen e drejtuesve të universitetit.

Kundërshtimet e stafit akademik

Stafi akademik i Universitetit të Tiranës paralajmëron grevë, nëse projektligji i arsimit të lartë nuk do të ndryshojë. Në mënyrë unanime ata e kanë kundërshtuar draftin, pasi ai cenon lirinë akademike, rrit pushtetin e shtetit mbi universitetin dhe nga ana tjetër në formën e prezantuar deri tani, projektligji favorizon universitetet private.
“Nëse vazhdon përpjekja për të cenuar liritë akademike dhe autonominë universitare, ne do t’i përgjigjemi me të gjitha mjetet demokratike që kemi në dispozicion, që na lejon Kushtetuta. Deri në grevë. Nuk e kemi profesion aktivitetin politik, pjesa më e madhe shumë më pak se unë, por ne do presim draftin, nuk shpresojmë, sepse mënyra si funksionon ministria, të ofron një kompromis dhe pastaj ndryshon gjithçka. Ministria duhet të sqarojë se në cilin projekt demokratik është mbështetur projektligji. Të shpjegojë pse gjithë puna dhe debati konstruktiv në të cilën u angazhuan universitetet publike dhe private gjatë diskutimit të draftit për reformën e arsimit të lartë gjashtë muaj më parë u hodh në kosh nga MAS”, – tha pedagogu Mark Marku.

Ndërsa për pedagogun dhe sociologun Zyhdi Dervishi, ky ligj është bërë më shumë për privatët se sa për universitetet publike. “Me keqardhje them që më shumë ligji sikur është bërë për arsimin universitar jopublik. Natyrisht, unë nuk jam kundër arsimit jopublik, por gjërat duhen ndarë qartë. Arsimi universitar publik është detyrim kombëtar”, u shpreh Zyhdi Dervishi.
Po ashtu, pedagogë të tjerë u shprehën kundër heqjes së përfaqësimit të studentëve dhe veç asaj, krijimi i Bordit të Administrimit cenon autonominë dhe rrit kontrollin e ekzekutivit në drejtimin e universiteteve publike.

Pedagogët kanë kërkuar transparencë dhe takim për të diskutuar me ministren e Arsimit për draftin, ndërsa janë shprehur se nëse vërejtjet e tyre nuk merren parasysh, do t’i bëjnë kërkesë kryetarit të Kuvendit që të konsiderojë se kushtet kushtetuese që duhet për të përcjellë një draft janë shkelur që në zanafillë dhe të kërkojë realizimin e tyre.

SHKARKO APP