Studimi gjerman: Të rinjtë shqiptarë konservatorë, u besojnë imamëve

Qindra-­mijëra të rinj nga Ballkani duan të largohen nga vendet e tyre dhe të gjejnë strehë në botën perëndimore. Në krye të listës që duan t’ia kthejnë shpinën atdheut janë shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria, shkruan gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Një studim i Fondacionit gjerman «Friedrich Ebert» jep shpjegime të rëndësishme për arsyet e ikjes.

Vetëm gjatë korrikut në Gjermani kanë kërkuar azil 7 mijë persona nga Shqipëria. Në korrik të vitit 2014 ky numër ishte 766. Domethënë: në krahasim korrikun e vitit të kaluar gati dhjetë herë më shumë shqiptarë nuk e shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri. Shifrat i ka konfirmuar për gazetën gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» Enti Federal për Migrim dhe Refugjatë. Kjo gazetë në numrin e së hënës ka botuar detaje të rëndësishme të një studimi të Fondacionit «Friedrich Ebert» mbi shkaqet e ikjes së të rinjve nga vendet e Europës Juglindore.

Nga viti 2011 deri më 2014 janë anketuar gati 10 mijë të rinj në tetë shtete të rajonit mbi planet e tyre për të ardhmen dhe mbi vlerat në të cilat besojnë.

Për shembull: Jeta nga Gjakova, 26-­vjeçare, thotë se arsyeja e vetme për t’u anëtarësuar në një parti në Kosovë është gjetja e një vendi të punës. Shumica e të rinjve në Kosovë është e bindur se nëse nuk je anëtar i një partie që është në pushtet, nuk ke shans të gjesh një vend pune.«Në Gjakovë të gjithë bëhen anëtar të partive politike vetëm për të pasur një vend pune», thotë Jeta.

Një përfundim thelbësor i anketës së Fondacionit «Friedrich Ebert» të zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Mariborit (Slloveni) është ky:

«Papunësia, rrethanat e vështira të punës dhe varfëria në tërë Europën Juglindore janë shqetësimet më të mëdha të të rinjve dhe të të rriturve në moshë të re, andaj për këtë arsye shumë prej tyre duan të emigrojnë. Ikja e trurit (Braindrain) paraqet kërcënimin më të madh për zhvillimin e shteteve të rajonit».

Sipas studimit, në krye të listës dëshpëruese është Shqipëria. Dy të tretat e të rinjve dhe të të rriturve të moshës së re në Shqipëri thonë se «sipas të gjitha gjasave» do ta braktisin vendin ose «ka gjasa të mëdha» se do të largohen nga vendi i tyre.

Edhe në Kosovë dhe Maqedoni më shumë se gjysma e qytetarëve të rinj duan të ikin. 

Në Bullgari 42,5 për qind dhe në Rumani 39,9 për qind. Të dy këto vende janë anëtare të Bashkimit Europian. Rezultatet e tjera të studimit janë po ashtu dramatike.

«Një pjesë e madhe e të rinjve (…) është pak tolerante dhe tregon pak gatishmëri për t’u angazhuar politikisht. (…) (Të rinjtë në Europën Juglindore) vetëm në mënyrë të kufizuar janë në gjendje të pranojnë dallimet sociale apo kulturore», thuhet në vlerësimin e Fondacionit të afërt me Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë.

Supozimi se të rinjtë janë më progresivë dhe më tolerantë se prindërit apo gjyshërit e tyre, sipas studimit, nuk qëndron. Për shumë të rinj «çështjet e nderit» janë më të rëndësishme se «vlerat e tolerancës dhe bashkëpunimit». Sa i përket Kosovës, studimi tregon se të rinjtë nuk janë aspak tolerantë. Ata nuk do të kishin problem nëse fqinji i tyre të ishte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo nga Europa Perëndimore, por nëse fqinji është rom apo çift homoseksual, atëherë kosovarët e rinj nuk duan të jetojnë pranë tyre. Të rinjtë serbë në Kosovë, ndërkaq, nuk kanë problem nëse fqinji i tyre është rom, por ata s’duan të jetojnë afër një fqinji amerikan apo homoseksual.

Ndonëse nuk janë aspak tolerantë, 94 për qind e të rinjve kosovarë duan që Kosova të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. E kundërta është konstatuar te serbët e Kosovës: vetëm një për qind e tyre e sheh pozitivisht BE­-në.

Gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» këtë e shpjegon me përbërjen rurale të popullsisë serbe në Kosovë dhe me efektet që ka kujtimi i bombardimeve disamujore të NATO-­s kundër Serbisë në vitin 1999. Për shumicën e të rinjve shqiptarë të Kosovës Bashkimi Europian domethënë liri e lëvizjes. Aspektet e tjera të BE­-së, siç janë institucionet funksionale, sundimi i ligjit, ekonomia e tregut pothuaj nuk janë përmendur nga të rinjtë në Kosovë. Gati 70 për qind e nxënësve dhe studentëve kosovarë janë të bindur se në shkollën apo universitetin e tyre diplomat blihen «shpesh» apo së paku «nganjëherë».

Çfarë i brengos të rinjtë kosovarë? Papunësia (95 për qind) dhe «varfëria në rritje» (93 për qind). Ata nuk i besojnë as Misionit të OKB­-së, as atij të BE­-së. Imazhi i misioneve ndërkombëtare në Kosovë është në fund të pusit.

Më tutje, «Frankfurter Allgemeine Zeitung» duke iu referuar studimit të Fondacionit «Friedrich Ebert» shkruan:«Prej të gjithë të rinjve të anketuar në Europën Juglindore kosovarët e rinj janë larg më konservatorët. Më së shumti besim ata kanë ndaj ‹liderëve fetarë›, për shembull imamëve. Kosova është një shoqëri fuqishëm e orientuar nga familja dhe patriarkale, dhe kjo është kështu edhe te gjeneratat e reja.

‹Shumica dërmuese e tyre e shohin martesën dhe krijimin e familjeve si plane të tyre për të ardhmen›, ka treguar studimi. Gati 98 për qind e të rinjve e shohin familjen si synimin më të rëndësishëm në jetë, pothuaj të gjithë të rinjtë kosovarë duan të kenë fëmijë, gati dy të tretat duan të kenë së paku tre fëmijë. Por vetëm me një partner nga populli i tyre. Pajtimi i familjes për martesë është shumë i rëndësishëm, thotë Vjollca, një 18­-vjeçare nga Prishtina.

‹Prindërit e mi kurrë nuk do ta pranonin nëse unë do të martohesha me një burrë të një nacionaliteti apo feje tjetër›. Një ide të tillë shumica e të rinjve kosovarë as që e kanë. (…) Të pyetur përse duan të emigrojnë, 88 për qind e të rinjve si arsye përmendin nivelin më të lartë të jetesës, arsimimin më të mirë dhe në përgjithësi mundësitë më atraktive ekonomike në botën e jashtme. Në mesin e kosovarëve nuk është Gjermania caku kryesor i emigrimit, por Zvicra. Një e treta e të rinjve kosovarë duan të shkojnë në atë vend, kombëtarja e të cilit aktualisht ka 9 lojtarë në ekip, të cilët kanë lindur në ish­Jugosllavi apo si fëmijë të gastarbajterëve jugosllavë në Zvicër. Caku i dytë më i preferuar i shqiptarëve të Kosovës për të emigruar janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (18 për qind), tek në vendin e tretë pason Gjermania (16 për qind). Shumica e të rinjve nuk duan të jenë lypës apo azilantë në botën e jashtme, por shpresojnë që përmes familjarëve të shpërngulur atje të krijojnë një ekzistencë të re». ­

 

SHKARKO APP