Studiuesit ngrenë alarmin: Ambienti po shkatërrohet

 

Me rastin e Ditës së Tokës, Unioni Kombëtar i Agrobiznesit Shqiptar bashkëorganizoi me Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit të Universitetit Bujqësor të Tiranës konferencën "Të flasim shqip për tokën tonë". Konferenca u çel nga Kryetari i Unionit Kombëtar të Agrobiznesit Shqiptar Dr.h.c. Enver Ferizaj, i cili u shpreh në fjalën e tij se gjendja dhe mungesa e masave për mbrojtjen e tokës është alarmante. “Tokat po gërryhen nga gurëthyesit, lumenjtë po zbrazen nga kompanitë e materialeve inerte, pyjet po zhduken nga prerja e tyre, peshqit po zhduken nga mënyrat më brutale të peshkimit. Të gjitha këto masakra po shkaktohen nga dora e njeriut. E sikur të mos mjaftojnë këto, së fundmi po ndodh edhe një dukuri tjetër, edhe më e dhimbshme, migrimi masiv, i cili do të shkaktojë më shumë toka djerrë, të cilat do të jenë edhe më e vështirë për t'u punuar në të ardhmen",-deklaroi Kryetari i Unionit Kombëtar të Agrobiznesit Shqiptar. Disa nga studiuesit më të njohur të vendit në fushën e bujqësisë dhe mjedisit mbajtën kumtesa, në të cilat theksuan një sërë problematikash dhe parashtruan masat e nevojshme për mirëshfrytëzimin e tokës dhe mbrojtjen e saj. Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Ardian Maçi paraqiti domosdoshmërinë e implementimit të strategjisë për rajonizimin e prodhimit bujqësor, strategji e cila së bashku me hartën bujqësore të vendit është përgatitur  nga pedagogët e Universitetit Bujqësor. “Është e nevojshme të zbatohen politika që stimulojnë rajonizimin dhe intensifikimin e prodhimit, kooperimin dhe zhvillimin rural të qëndrueshëm, por nga ana tjetër duhet stimuluar edhe tregu i tokës, qeradhënia dhe kooperimi horizontal. Rajonizimi i prodhimit, mbështetur në hartën bujqësore të vendit, do të mundësojë rritjen e nivelit të përdorimit të tokës, përdorimit të inputeve, konsolidimit të fermave, do të mbështesë grupet e prodhuesve dhe do të rrisë vlerën e tyre, e po ashtu përbën nje mundësi në disa rajone për zhvillimin e industrisë së prodhimit të bimeve medicinale",-u shpreh Prof. Maçi. Rëndësinë e informacionit bujqësor për zhvillimin e bujqësisë shqiptare e trajtoi në kumtesën e saj Prof. Dr. Tatjana Dishnica, e cila argumentoi se një informacion aktiv bujqësor cilësohet si i tillë kur është i koordinuar me të gjithë hallkat e tij, është i dhënë në kohë reale në mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme, si dhe njëherësh është i thjeshtë në përdorim.

"Në kuptimin institucional ka munguar dhe mungon një strukturë e plotë koordinimi, për rrjedhojë informacioni që shkon tek përfituesit nuk është i mjaftueshëm dhe relevant, shpesh është konfuz dhe në shumë raste pa cilësinë dhe frekuencën e duhur. Duhet të informojmë "shqip" fermerët tanë. Të jemi të drejtpërdrejtë, në shërbim të tyre dhe për të plotësuar nevojat e tyre, e në të njëjtën kohë të jemi të gjithanshëm duke filluar nga "Toka" e duke përfunduar tek "shporta e konsumatorit", -u shpreh gjatë kumtesës së saj Prof. Dishnica.

Duke folur në konferencë për rivitalizimin e tokave mes ndërtimeve urbane, Prof. Asoc. Dr. Sazan Guri renditi si fakte shqetësuese humbjen e sipërfaqes së tokës së bukës dhe të sipërfaqes së gjelbërt. "Është domosdoshmëri të vëmë në zbatim teknikat e infrastrukturës së rehabilitimit urban dhe një program të kujdesit dhe mirëmbajtjes së hapësirave të gjelbra, e po ashtu kryerja e të gjitha ndërhyrjeve të mundshme për shtimin e tyre",-nënvizoi Prof. Guri. Fakte tejet shqetësuese me shembuj konkretë paraqiti Prof. Asoc. Dr. Vangjo Kovaçi në kumtesën për erozionin dhe masat për miniminizimin e tij.

"Çdo vit Shqipërisë i rrëmbehen nga erozioni 20-30 dhe deri në 70 tonë/ha/vit tokë bujqësore dhe jobujqësore. Si rezultat i erozionit çdo vit degradohen dhjetëra ha tokë. Vetëm nga shkarjet dhe shembjet e tokës janë në rrezik potencial rreth 150 mijë ha tokë, ndërkohë dhjetëra hektarë të tjerë rrezikohen për shkak të shfrytëzimit pa kriter të shtretërve të lumenjve".

Si rrugë zgjidhjeje Prof. Kovaçi sugjeroi rigjallërimin e punës kërkimore e studimore për monitorimin sipas standarteve të përcaktuara nga BE, rritjen e efektivitetit të strukturave të pushtetit lokal dhe qendror për të marrë në mbrojtje tokën, mjedisin dhe biodiversitetin, zhvillimin e programeve lokale të vlerësimit mjedisor dhe kryerjen e investimeve më me efektivitet për mbrojtjen e tokës dhe mbi të gjitha nevojën e implementimit në të ardhmen të një programi për inventarin e tokës.

Edhe pyjet dhe tokat pyjore janë dëmtuar rëndë nga erozioni e gjithashtu nga faktori njerëzor. Për këtë çështje diskutoi gjerësisht në kumtesën e tij Prof. Asoc. Dr. Nehat Çollaku. Sipas Prof. Çollakut dëmi më i madh është bërë nga faktori njerëzor. "Pyjet janë shfrytëzuar dy-tre herë më shumë se mundësia vjetore e shfrytëzimit. Në vitet '70 u hapën mbi 300 mijë ha toka të reja në sipërfaqe pyjore, ndërkohë ka ekzistuar edhe një presion të ushtruar nga mbikullotja. Presioni njerëzor për konsum të druve të zjarrit ka bërë gjithashtu që të thellohet ndjeshëm defiçiti i bilancit të lëndës drusore nga viti në vit".

Në vijim të kumtesës, Prof. Çollaku parashtroi edhe rekomandimet konkrete. "Të qartësohen të drejtat e pronësisë për pyjet dhe kullotat e transferuara tek pushteti vendor. Të nxitet pjesëmarrja e komuniteteve në menaxhimin e burimeve natyrore. Të konsolidohet shërbimi këshillimor dhe të përhapen praktikat e mira dhe kjo të shoqërohet me lëvrimin e granteve për zonat, komunitetet apo shoqatat e pyjeve dhe kullotave për gjenerim të ardhurash dhe lehtësim të varfërisë".

Në konferencë diskutuan dhe debatuan mbi problemet e shfrytëzimit të tokës dhe mbrojtjes së saj edhe ekspertë e specialistë të ftuar të tjerë.

 

 

SHKARKO APP