Të jetosh në azil, historia e 81­-vjeçarit nga Shkodra

Shtëpia e të moshuarve, e cila ndodhet në zonën e “Ali Demit”, në kryeqytet është një banesë 3-­katëshe, të cilët të moshuarit e konsiderojnë vilën e tyre. Sapo të hedhësh hapin e parë në banesë, të moshuarit që ndodhen në kopshtin e vogël të shohin me kureshtje, disa të lënë të kuptosh se “u ke shkelur privatësinë”, e disa të tjerë qëndrojnë indiferentë aq sa prezenca jote aty për ta s’ka snjë kuptim. Në stolin afër derës, një nga të moshuarat numëron dhe rinumëron 7 mijë lekë të vjetra që ka në duar, shoqja tjetër pranë saj qëndron pafolur dhe tërësisht indiferente. Një i moshuar tjetër me një kapele të zezë ankohet për temperaturat e larta duke u ulur në stolin nën hije. Diku më tutje një poster i madh me sfond blu dhe shkronja të bardha shkruan “Shijoje jetën”.

Pikërisht aty, para fjalëve me gërma kapitale dhe nën hijen e verandës rri i ulur në karrige një prej të moshuarve të kësaj ‘vile’, Zef Lufi. Me cigare në dorë dhe i zhytur tërësisht në mendimet e tij, Zefi nuk të kushton aspak rëndësi fillimisht. Kur afrohesh dhe e pyet sesi është me shëndet, me buzëqeshja e tij ia fshin tërësisht vrazhdësinë e fillimit, që pak sekonda më parë i kishte mbuluar fytyrën dhe të përgjigjet miqësisht. Unazën e martesës e ka ende në gisht, edhe pse bashkëshortja prej disa vitesh i është larguar nga jeta. 81­vjeçari me origjinë nga Shkodra duke u treguar shumë i rezervuar rrëfen arsyen se përse zgjodhi të jetojë në azil.

“Unë kam jetuar me gruan time shkodrane 57 vite. Pati një fatkeqësi. Bëri shumë operacione, 5 operacione dhe vdiq. Më la vetem. Tani është koha më e keqe për mua, se kështu thonë që më mirë të largohet burri më përpara se gruaja, se gruaja të ndihmon”, thotë Zefi.

Kur flet për bashkëshorten, për Lizën e tij, fytyra i merr një tjetër pamje dhe sytë i lotojnë. Nga martesa e tij, Zefi nuk ka pasur fëmijë dhe humbjen e gruas ai e konsideron dramë që i ka shkaktuar shumë dhimbje.

“Liza e ka pasur emrin. Kam shëtitur shumë me gruan, edhe në kamp, edhe në plazh, edhe jashtë vendit. Gjithmonë bashkë, edhe notin ia kam mësuar, e kam shtyrë nga trampolina katër metra, ka rënë në ujë janë çuditur njerëzit dhe kam thënë jo se del vetë ajo. Doja t`i hiqja frikën se unë jam marrë shumë me notin. Kur kam bërë varrin e gruas në Shkodër, aty afër kam vendosur emrin dhe fotografinë time. Janë habitur njerëzit kur e kanë parë dhe më kanë marrë në telefon”, – tregon 81-­vjeçari.

Teksa ngjitemi në katin e dytë të banesës, aty ku Zefi jeton i vetëm në një dhomë, përshëndes të gjithë të moshuarit, por secili duket i zhytur në një botë tjetër. Aq sa të duket se je futur në një botë të akullt vetmie, edhe pse të moshuarit tek­tuk pëshpërisin gjëra me njëri­tjetrin. Para se të futemi në dhomë, Zefi tregon se ka djegur 12 albume me fotografi dhe disa fotografi, ato më të bukurat i ka vendosur në faqen e një muri. Ai jeton në këtë shtëpi prej tre vitesh. “Kur kam ardhur këtu kam djegur 12 albume me fotografi. Ndërsa librat ia kam dhënë një shoku në Shkodër. Aty lart, te ajo foto kemi dalë kur jemi martuar, ndërsa te ajo tjetra është Liza vetëm. Ja, aty kam dalë unë këtë prill në Paris”, – thotë Zefi duke treguar për çdo fotografi. Përsa i përket të kaluarës së tij 81-­vjeçari nuk preferon të tregojë detaje, por tregon me pasion se në rininë e tij ka luajtur disa role në teatër dhe ka qënë pjesë e koreve të muzikës.

“Ne kemi qënë familje e internuar. Biografia e keqe më ka penguar. Babin nuk e kam njohur se më ka lënë 15 muajsh, ndërsa nënën shumë pak e mbaj mend. Nuk të leverdis për jetën time. E kupton apo nuk e kupton? Jeta ime kur ka filluar etj, është shumë e dhimbshme” pohon ai duke mos dashur të tregojë asgjë më tej. Siç duket ka vendosur të mos flasë për kohëra e kujtime që i shkaktojnë dhimbje. Zefi kohën e lirë e kalon duke luajtur domino, ose duke pirë një kafe në lokalin e lagjes. Më parë ai frekuentonte dhe pishinat por lodhja fizike si pasojë e rëndesës së viteve e detyroi të shkëputej nga ky aktivitet. Ai thotë se nuk ndihet aspak i paragjykuar ,që ndodhet në azil duke shtuar më tej se është mjaft i kënaqur me kushtet që ofron shtëpia e të moshuarve.

“Më parë shkoja çdo ditë në pishina, por tani nuk shkoj më, nuk kam fuqi fizke. Kjo e imja nuk quhet paragjykim. Unë kam plot njerëz, por vendosa të vij këtu. Nuk jam penduar. Kushtet janë shumë mirë. Kjo banesë është vilë trekatëshe, ushqimi është shumë i mirë. Unë personalisht jam shumë i kënaqur. 40% të pensionit e lë në shtëpinë e të moshuarve. Pensioni më vjen këtu dhe më mjafton, nga qeveria nuk dua asnjë cent tjetër. E ndërsa e pyet se çfarë i mungon më tepër brenda mureve të këtij azili, Zefi e ka përgjigjen e shpejtë: “A sigurisht të jetoja edhe pak me gruan, por e kujtoj dhe e ndjej shpesh herë” Shtëpia e të moshuarve në kryeqytet është themeluar në vitin 1967 dhe aktualisht aty banojnë 47 persona, 20 femra dhe 27 meshkuj.  

SHKARKO APP