Veliaj: Krijojmë agjencinë e tregjeve, për të pasur tregje me cilësi dhe standarde higjenike

 

Duke filluar nga kjo fundjavë, fermerët e Tiranës mund t’i tregtojnë gjelat e detit në tregun e Vishnjes në Baldushk. Bashkia e Tiranës ka ngritur në këtë zonë një treg të posaçëm për tregtimin e gjësë së gjallë, si një mënyrë jo vetëm për të rritur promovimin e produkteve të zonës, por edhe si një mundësi për të pasur një treg me kushte e standarde të larta higjenike. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot në Forumin Ekonomik Studentor i organizuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku edhe shprehu idenë e tij për krijimin e një agjencie tregjesh, e cila do të nxisë rritjen e standardeve të tregjeve në kryeqytet.

“Këtë fundjavë hapim tregun e gjësë së gjallë në një zonë ku rriten gjelat më të mirë të detit në Shqipëri, si zona e Baldushkut. Për të gjithë fermerët e zonës, që shesin gjelat e Baldushkut, por jo vetëm, do të kemi tregun e gjësë së gjallë në Vishnje, në një zonë rurale shumë pranë qytetit, duke e vlerësuar këtë edhe si një mënyrë për t’i nxjerrë njerëzit nga Tirana, e sigurisht për të ofruar një sistem higjenik, ku veterinerët dhe inspektorët tanë kontrollojnë vazhdimisht higjienën e ushqimit”, u shpreh sot Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se shumë shpejt do të krijohet një agjenci e tregjeve, si një pikë takimi mes atij që prodhon produkte bujqësore dhe konsumatorit. “Sot në Tiranë kemi vetëm një pikë kryesore të grumbullimit të produkteve bujqësore, e cila është e pamjaftueshme, ndaj do të investohemi në krijimin e disa pikave të tjera të grumbullimit. Do të duhet të bëjmë disa politika, jo vetëm për të promovuar produktet lokale, por edhe tregjet rajonale, sipas zonave. Në qytet kemi një anomali të plotë dhe besoj se jeni dakord me mua se gjëja e gjallë nuk mund të shitet në mjedise publike, pa kontroll”, u shpreh Veliaj.

Ndërkaq, ai vuri në dukje se promovimi i produkteve bio shqiptare është mjaft e rëndësishme edhe për ekonominë e Tiranës. “Unë nuk besoj te konsumimi i produkteve lokale, thjesht si një gjest patriotik, por unë besoj sepse realisht politika e kilometrit zero e gjërave që rriten tek pragu i shtëpisë tënde duhet të jetë politika me të cilën ne edukojmë konsumatorët tanë. Më vjen mirë që edhe në fshatin e Krishtlindjeve te sheshi “Nënë Tereza” kemi prodhues të fermave, vreshtave, produkteve shqiptare”, tha kryebashkiaku.

Veç kësaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës përmendi edhe problemin e qenve të rrugës, si një çështje të cilën bashkia po e sheh me përparësi dhe do t’i japë zgjidhje shumë shpejt. “Sipas statistikave, në rrugët e Tiranës ka rreth 10 mijë qen. Kjo do të thotë se na duhet një zgjidhje humane dhe e qëndrueshme. Zgjidhja që disa qytetarë bëjnë duke dhunuar kafshët e rrugës nuk është një zgjidhje, as e qëndrueshme dhe as humane. Zgjidhja që kemi propozuar me Universitetin Bujqësor, është e tillë ku klinika e Veterinarisë bashkëpunon me klinikat që do të hapë shumë shpejt bashkia për të zgjidhur këtë situatë, duke bërë sterilizimin dhe vaksinimin. Universiteti Bujqësor siguron një praktikë konstante të studentëve të Veterinarisë, Bashkia ndërkohë gjen një zgjidhje të qëndrueshme dhe humane për uljen e numrit të qenve të rrugës, pa dhunë ndaj tyre”, tha ai.

SHKARKO APP