Vjen çami Shpëtim Idrizi, ikën minoritari Vangjel Dule

 

Vangjel Dule jep doreheqjen nga nenkryetar parlamenti sapo Shpetim Idrizi u zgjodh sot nenkryetar parlamenti.

Njoftohet se PBDNJ do të dorëhiqet krejt nga qeverisja që sot. 

Në një deklaratë për mediat, Dule tha se dorëheqja nga posti i numrit dy të Kuvendit, vjen si pasojë e “kthimit të institucioneve në plaçkë këmbimi në tregun e aleancave fluide”.

Zhvillimet e fundit me nënkryetarët e Kuvendit janë pasqyrë e luhatjeve brenda koalicionit të majtë. Mes Dules së PBDNJ-së që përfaqëson interesat e komunitetit grek dhe Idrizit të çamëve ka pasur gjithmonë replika në forta lidhur me qëndrimin e Tiranës ndaj Greqisë dhe zgjidhjen e Çështjes Çame.

Zgjedhja e kreut të PDIU, Shpëtim Idrizi si nënkryetar i Kuvendit erdhi si pasojë e marrëveshjes së re elektorale mes PS dhe PDIU. Ndërkohë që një lëvizje e tillë nuk është pritur mirë nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili është zgjedhur në këtë detyrë në vitin 2013.

Afrimi i Idrizit në koalicionin me Ramën dhe së fundi dhënia e një posti të rëndësishëm në Kuvend, duke e barazuar me kreun PBDNJ-së ka shërbyer si arsyeja kryesore për një ndarjes mes Dules dhe mazhorancës së sotme.  Ky ndryshim duket se nuk është pritur edhe brenda vet mazhorancës. Mjafton të kujtojmë se Dule është zgjedhur nënkryetar në vitin 2013 me 105 vota, duke marrë edhe vota të deputetëve të PD, ndërsa Idrizi ka marrë vetëm 75 vota gjatë votimit të sotëm.

Sherri mes PDIU dhe PBDNJ-së shkon përtej politikës së ditës dhe ka të bëjë me qëndrimet që secila parti ka për çështjen çame. Pavarësisht motiveve që e shtynë Dulen të dalë nga koalicionit, qëndrimi i tij është më dinjitoz sesa ai i kreut të PDIU. Idrizi ka hyrë në Kuvend me votat e Partisë Demokratike dhe si nënkryetar i Parlamentit u zgjodh sot nga votat e socialistëve. Ndërsa Dule në zgjedhjet e 2013-ës u zgjodh si pjesë e koalicionit të Partisë Socialiste. 

Në këmbim të votave që ka partia e çamëve, Rama zgjodhi të t’i lerë më shumë hapësirë Idrizit, duke pranuar largimin e Dules. Prania e PDBNJ-së në qeveri mund të mos ketë peshë të rëndësishme në miratimin e reformave, por një subjekt i tillë politikë ka pasur gjithmonë rëndësi në arenën ndërkombëtare. Në raportet ndërkombëtarëve dhe sidomos në marrëdhëniet Tiranë-Athinë, një pikë e rëndësishme ka qenë përfaqësimi i minoritetit grek në qeverisjes. Përballë këtyre kritikave, zgjedhja e Dules si Nënkryetar Kuvendi ishte një provë e fortë e politikës së hapur që Tirana kishte ndaj respektimit të minoriteve. Kur marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës nuk janë në ditët më të mira, largimi i Dules dhe PBDNJ-së nga qeveria mund të sjellë dhe komplikime të reja në raportet mes dy vendeve. Në fund të muajit pritet të jenë në Tiranë Kryeministri i Greqisë. Mes shumë temave të hapura mes dy vendeve, mos përfaqësimi i minoritetit grek në asnjë institucion të vendit mund të jetë një tjetër arsye për një “sherr” të ri me palën greke.

Zgjedhja e Idrizit sjellë jo pak probleme morale për koalicionin e majtë që dikur premtoi se nuk do trafikonte vota nga opozita. Në fakt bëri të kundërtën, Idrizi është një i zgjedhur nga votat e opozitës. Veç problemit moral, tani pritet dhe reagimi nervoz i Greqisë, pasi mazhoranca e sotme nuk ka si pjesë të saj asnjë parti të minoritetit. A ja vlen gjithë kjo zhurmë për të kënaqur ambicien e Idrizit? 

 
 
 

SHKARKO APP