Zbardhet skema e vjedhjes se 600 mijë eurove të klientëve nga drejtori i bankës

 

Një ish-drejtor banke në qytetin e Pogradecit është dërguar si i pandehur në gjykatë, pasi dyshohet se ka përvetësuar 600 mijë euro nga llogaritë e klientëve të bankës ku ai punonte. Spartak Tupe, i arrestuar që prej tetorit të vitit të shkuar, akuzohet nga prokuroria për vjedhje të bankave dhe arkave të kursimit me pasoja të rënda. Hetimet kanë nisur në korrik të vitit të shkuar, kur një qytetar, klient i filialit të bankës që drejtohej nga Tupe, denoncoi boshatisjen e llogarisë së tij bankare.

Pas një hetimi të brendshëm të nisur nga vetë banka u zbulua se ishin të paktën 20 llogari që ishin prekur nga ish-drejtori Tupe, i cili bënte lëvizje në shuma që nuk kishin nevojë për autorizim. Në përfundim të hetimeve të nisura që prej korrikut të vitit të shkuar, prokuroria arriti në përfundimin se ish-drejtori i Bankës, Spartak Tupe, për t’i shpëtuar auditit të bankës, kryente transaksione në vlera deri në 100 mijë lekë të reja, shumë për të cilën nuk ishte i nevojshëm autorizimi i një punonjësi të dytë në bankë.

Një shtetas me inicialet B. B është paraqitur në prokurori në korrik të vitit të shkuar, ku ka deklaruar se në muajin nëntor të vitit 2013 ka çelur një depozitë me afat 12-mujor në këtë bankë, me vlerën e 2 milionë e 500 mijë lekëve dhe paratë i ka derdhur kesh. Ky fakt konfirmohet edhe nga kamerat e sigurisë së bankës, të cilat tregojnë se klienti B. B kishte depozituar shumën e parave që pretendon.

Por vetëm pak kohë pas çeljes së llogarisë, ajo është debituar në shumën 100 mijë lekë dhe 685 mijë lekë, shuma këto që janë transferuar në llogarinë e klientit I.P, me të cilin kallëzuesi nuk kishte asnjë njohje apo lidhje. “Këto veprime janë regjistruar në sistemin kompjuterik që operon banka nga përdoruesi Spartak Tupe, por nuk përmbajnë nënshkrimin e klientit”, thotë prokuroria. Referuar dokumentacionit të lëvizjeve të llogarisë rezulton se e njëjta shumë parash është rikthyer në llogarinë e klientit B. B, me qëllim që ish-drejtori të mbulonte gjurmët.

Nëpërmjet veprimit bankar “xhirim i brendshëm”, prokuroria ka zbuluar se më 13 dhjetor të vitit 2013, nga llogaria e klientit B. B është debituar shuma prej 95 mijë lekësh, e cila ka kaluar në favor të llogarisë që i përket një shtetaseje me inicialet M. O. Edhe me këtë shtetase, klienti B. B nuk kishte njohje, fakt i konfirmuar prej tij në deklarimet që ka dhënë për llogari të hetimit. Edhe në këtë rast prokuroria ka zbuluar se ky veprim është kryer dhe regjistruar në sistem nga përdoruesi Spartak Tupe, por mandati i veprimit nuk është printuar.

“Nëpërmjet këtij veprimi është realizuar rikthimi i vlerave të përvetësuara më parë nga llogaria e klientes M.O. Shuma prej 95 mijë lekësh, e përvetësuar nga klienti B.B është ricikluar brenda skemës për të mbuluar gjurmët, dhe për të fshehur përvetësimin e mëparshëm ndaj klientes M. O”, thotë prokuroria.

Nga hetimet është zbuluar se nga llogaria e klientit B. B janë bërë edhe tri transferta të tjera në llogarinë e shtetasit E.T, të cilat janë kryer nga ish-drejtori i filialit të bankës, shtetasi Spartak Tupe. Në lidhje me këto veprime bankare shtetasi B.B shpjegon se shtetasin E.T nuk e njeh dhe rrjedhimisht nuk ka asnjë lloj marrëdhënieje me të, duke theksuar se nënshkrimi i mandatit të transferimit të parave nuk është i tij.

Ky fakt është konfirmuar edhe nga ekspertimi grafik i nënshkrimit të gjetur në bankë me nënshkrimin e kallëzuesit, duke arritur në përfundimin se firma për lëvizjen e parave nuk është e shtetasit B. B. “Nëpërmjet veprimeve bankare ‘xhirim i brendshëm’ datë 13.12.2013; dhe atij të datës 26.12.2013, provohet se ish-drejtori i Spartak Tupe ka realizuar përvetësimin e shumave respektive 400.000, 72.000 dhe 240.000 lekë nga llogaria e klientit B.B në përfitim të klientit E.T”, thotë prokuroria. Sipas hetimit, rezulton se me të njëjtën skemë, ish-drejtori Tupe ka vepruar edhe me llogaritë bankare të rreth 20 personave të tjerë, duke përfituar shumën e rreth 600 mijë eurove.

SHKARKO APP