Albin Kurti: Serbia nuk e do dialogun, plani i tyre për destabilizim do të dështojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi pas braktisjes së institucioneve të Kosovës nga komuniteti serb dhe zyrtarë të Listës Serbe, se qytetarët nuk kanë nevojë të shqetësohen për situatën në veri. Sipas tij, do të dështojnë përpjekjet e Beogradit për destabilizimin e Kosovës.

“Nuk e dimë ne tash se çfarë ndikimesh do të ketë përpjekja e Serbisë për destabilizimin e Kosovës, mirëpo unë e di që një përpjekje e tillë do të jetë e pasuksesshme, sepse shteti ynë është i fortë, duke qenë demokratik, duke qenë i rreshtuar me SHBA, NATO-në. Ndërkaq, liberalizimi i vizave është krejt diçka tjerë dhe besoj se kjo sagë e stërzgjatur do të përmbyllet dhe nuk ka lidhje me zhvillimet që bëhen në Kosovë, ndoshta në Beograd besojnë një gjë të tillë. Imazhi i Kosovës kurrë nuk është përmirësuar sikurse në këtë 1 vit e gjysmë të qeverisjes tonë”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, zhvillimet në veri mund të jenë të lidhura edhe me planin franko-gjerman, si një shenjë se Serbia nuk e do dialogun.

“Ka mundësi që ata nuk dëshirojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe tash kanë zgjedhur këtë rrugën tjetër, por unë besoj që të dëgjueshmit e tyre, janë pakrahasimisht strukturat e ndryshme ilegale, sesa qytetarët e vendit tonë që janë me përkatësi etnike serbe”, tha ai.

Kryeministri shtoi po ashtu se “Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe serioz, ku ligjshmëria dhe kushtetutshmëria nuk mund të komprometohen”.

SHKARKO APP