Anglia shkatërron me “poker” Ukrainën, shkon në gjysmëfinale dhe vendos rekord (VIDEO)

Angli-Danimarkë do të jetë gjysmëfinalja e dytë e “Euro 2020”. “Tre Luanët” ishin të pamëshirshëm mbrëmjen e sotme, duke shkatërruar me lehtësi Ukrainën 4-0 në Romë.

Ishte gjithçka e thjeshtë për skuadrën e Southgate që do të gjente golin e parë që në minutën e 4-t me Harry Kane, i cili shfrytëzoi më së miri një asist nga Sterling. Ukraina u mundua të reagonte, me Yermanchuk që ishte një rrezik i vazhdueshëm, por pa mundur që të shënojë.

Fillimi i fraksionit të dytë ishte fantastik, teksa Anglia do të shënonte dy gola për tre minuta. Fillimisht shënoi Maguire me kokë, ndërkohë që Kane do të dyfishonte po me kokë pas një asisti nga Shaw.

Southgate bën disa zëvendësime për të rifreskuar ekipin, teksa mori menjëherë frytet e zgjedhjeve me Jordan Henderson që shënoi në minutën e 63-të golin e katërt, por me kokë. Anglia mbrëmjen e sotëm ka vendosur rekord, pasi ende nuk ka pësuar asnjë gol deri në gjysmëfinale. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP