Artan Hoxha: Renea dhe BKH shkuan për Ramazanin, por gjetën deputetin e PS, Rrahman Rraja

Gazetari Artan Hoxha tha se BKH dhe RENEA kërkonin Ramazan Rrajën por në vilën ku kryen kontrolle gjetëndeputetit socialist në Nikel, Rrahman Rraja.

POSTIMI I PLOTË I ARTAN HOXHES:

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të mbështetur nga reparti special RENEA, kanë bastisur në orët e para të mëngjesit te sotëm, banesën e deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja.

Aksioni i befasishëm është zhvilluar ende pa zbardhur dita, në fshatin Zezë të zonës së Niklës.

Ka qenë një vendim i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i lëshuar në sekret të plotë, me datë 17 janar 2023, pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqësore, i cili ka miratuar kerkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Xhungël” mëson se “Objektiv i ketij aksioni, ka qenë gjetja dhe ndalimi i shtetasit Ramazan Rraja, 30 vjeç, banor i njësisë administrative Nikël në zonën e Fushë Krujës. Po ashtu është ushtruar kontroll i banesës së tij në fshatin Zezë, sëbashku me automjetin, të cilin ai ka në përdorim. Qëllimi i kontrollit të banesës dhe automjetit, ishte gjetja apo zbulimi i provave me rendësi për hetimin që po kryen SPAK”.

Hetuesit e BKH-së, të mbështetur nga grupet e depërtimit të repartit special RENEA, kanë mbyllur në rrethim në orët e para të së enjtes, vilën 3 kateshe në fshatin Nikël. Me pas, në zbatim të vendimit të Gjykatës Speciale, kanë hyrë në ambjentet e brendeshme duke ushtruar kontroll të hollësishem ndaj çdo personi që gjendej aty.

Agjentët e BKH-së, kanë bastisur në mënyrë të imtësishme çdo ambjent të vilës, për të gjetur materiale apo prova në lidhje me hetimin.

Në vendimin e gjykatës speciale, vila 3 kateshe sëbashku me hapsirën përreth saj, e rrethuar nga një mur i lartë mbrojtes dhe e paisur me sistem sigurie me kamera, është përcaktuar si objekt në pronësi dhe në përdorim të shtetasit Ramazan Rraja.

Hetuesit e BKH-së, kanë mbetur të befasuar, kur në banesë në vend të personit që kërkonin, kanë gjetur xhaxhain e tij, Rrahman Rraja, deputet i Partisë Socialiste dhe familjen e tij.

Deputeti i PS-së, u ka komunikuar agjentëve të BKH-së, se në banesë gjendet vetëm familja e tij. Ndërsa nipi i tij, Ramazan Rrahja, ka kohë që jeton në kryeqytet. Por ky fakt nuk i ka penguar agjentët e BKH-së të ushtrojnë kontroll në çdo cep të godinës pavarësisht faktit se aty gjendej vetëm deputeti i PS-së dhe familja e tij.

Pas më shumë se dy orësh, agjentët e BKH-se dhe trupat speciale RENEA, kanë përfunduar kontrollin duke u larguar pa gjetur as personin që kërkonin dhe as mjete të kundraligjshme.

Një burim nga SPAK, konfirmoi për “Xhungël”, se “aksioni i sotëm i BKH dhe RENEA, është zhvilluar në vijim të hetimit për atentatin e 1 nëntorit 2019, ku mbeti i plagosur prokurori i Durrësit Arjan Ndoj, miku i tij Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut” dhe humbi jeten shoferi i Ndojit, Andi Maloku”.

Ramazan Rraja, për herë të fundit u shpall në kërkim policor pas atentatit të ndodhur në 17 korrik 2022, në mbikalimin e Fushë Krujës, ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.

Në atë kohë, Ramazan Rraja ndodhej jashtë vendit. Ai u shoqërua nga policia e Fushë Krujës mesditën e 31 tetorit 2022, kur sapo ishte kthyer në Rinas me linjen e Flay Dubai nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Rraja dha deklarime në lidhje me hetimin e masakrës së 17 korrikut, në mbikalimin e Fushë Krujës dhe pasi provoi se ditën e ngjarjes, ndodhej jashtë territorit të Shqipërisë, u la i lirë disa orë më vonë

SHKARKO APP