Balla: Shqipëria, partnere e përkushtuar dhe e besuar në Interpol

Zhvillohet këtë të javë në Tiranë konferenca e 51 e Interpolit. Deri të enjten kryeqyteti shqiptar mirëpret drejtuesit më të lartë të policive të të gjitha vendeve që janë anëtare e Interpol. Konferenca mbahet për herë të parë në Tiranë.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, mbajti një fjalim gjatë punimeve të konferencës. Balla e konsideron privilegj mbledhjen e Interpol në Shqipëri dhe një vlerësim për policinë tonë dhe kontributin që ajo ka dhënë në këtë organizatë prej 32 vitesh.

“Është privilegj për ne. Është gjithashtu dhe një njohje dhe vlerësim për Policinë e Shtetit dhe kontributin tonë me Interpolin në 32 vitet e fundit. që nga hapja e Zyrës së Interpol në 1992 të ndjekur nga një anëtarësim i plotë në 1998, Shqipëria është fuqimisht bashkë me misionin e Interpol. Ne kemi bërë pjesën tonë duke kontribuar me policimin në komunitet. Numri në rritje i ekipeve të përbashkëta të veprimit, 16 në vitin 2022, 19 në vitin 2023 dhe 24 në vitin 2024. Konfirmojmë që Shqipëria është e përkushtuar dhe një partnere e besuar”, tha Balla.

Ministri i Brendshëm u ndal në sfidat e fundit në fushën e sigurisë dhe rendit publik të cilat theksoi se janë të shumta. Balla tha se ato kanë të bëjnë që nga krimi i organizuar, terrorizmi, narkotrafiku dhe krimet kibernetike.

“Kërkojnë koordinim dhe përgjigje shumë të shpejtë”, tha Balla.

Ministri theksoi se policia shqiptare ka investuar shumë në luftën kundër narkotikëve, mirëpo roli i Interpol është kryesor për të ndaluar këtë fenomen. Balla pati një falenderim për Interpol në lidhje me personat e ekstraduar në Shqipëri kohët e fundit.

“Shqipëria mbetet shumë e përkushtuar në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe narkotikëve. Ne kemi marrë hapa të rëndësishme përpara për të bërë një reformë në sistemin e drejtësisë për të forcuar sundimin e ligjit në institucione dhe kemi filluar të mbledhim të gjitha rezultatet e mira. Lufta që ne kemi është kryesore për të gjetur personat që janë fajtorë dhe për t’i sjellë para drejtësisë”, tha Balla.

Më tej ministri shtoi se, “Rezultatet që kemi rritur deri tani janë vetëm fillimi dhe e kanë dërguar Policinë e Shtetit në krye të një nga institucioneve më të besuara të vendit për agjencitë e huaja dhe ndër këto është edhe Interpoli”.

Në këtë konferencë do ketë një numër të lartë pjesëmarrësish duke nisur nga Sekretari i Përgjithshëm i Interpol si dhe delegacionet e vendeve anëtare do të zbarkojnë në Tiranë. Për 3 ditë radhazi në Tiranë do të mbërrijnë 53 delegacione të shteteve anëtare, përkatësisht rreth 250 të ftuar në këtë konferencë.

Takimi synon të rrisë dhe forcojë bashkëpunimin në nivel dy palësh me të gjitha policitë e vendeve evropiane, në kuadër të forcimit të luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

SHKARKO APP