Basha takim me socialistët e zhgënjyer në Durrës: Rama iu braktisi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po zhvillon një takim me socialistë të zhgënjyer në Durrës. Mësohet se lideri demokrat ka mbledhur sot mbi 500 socialistë, që i janë bashkuar PD-së.

Gjatë fjalës së tij para tyre, Basha nënvizoi se Partia Socialiste i ka braktisur për tetë vite njerëzit, i ka lënë në mëshirë të fatit, e nuk është kujdesur për to. Ai tha se ka ardhur koha që Shqipëria e Durrësi t’i kthehen shqiptarëve, e kjo sipas tij, arrihet duke votuar numrin 9 më 25 prill.

“Faleminderit nga Zemra, e hoqa xhaketën sepse keni krijuar një klimë miqësore, e po e rivësh në shenjë respekti. Jam i nderuar me këtë takim, me këtë pritje, që investoni tek ndryshimi dhe PD. Kur prita Ardit Kërktushën dhe Mazrekun në zyrën time, pata dy ndjesi, e dua t’i ndaj me ju sot. E para, kaq shumë e kanë gërmuar hendekun e përçarjes, më shumë emocion kisha për të takuar këto, sesa ambasadorët që kam pritur. Gëzim në sytë e mi që e duan Shqipërinë, e kanë të shtrenjtë familjen. Ne jemi një komb, një popull, një familje.

Njësoj si shumica dërrmuese e Shqiptarëve, kanë parë se një grusht njerëzish kanë përfituar nga pushteti, janë pasuruar në mënyrë marramendëse. Edi Rama dhe një grup oligarkësh janë bërë si sheikë, në një Durrës që nuk ka bukë për familjet, nuk ka investime, por vetëm batërdisje. Pas tërmetit të zotit këtu ra tërmeti i babëzisë. Duan t’ua braktisin trojet për mafiet e ndërtimit. Mijëra familje e kaluan dimrin e dytë në çadra për babëzinë e disa njerëzve. Për ata taksat tuaja janë të tyre, kështu e kanë trajtuar Durrësin dhe të gjithë Shqipërinë. A ka gjë më flagrante që doli nga një gazetar investigativ i drejtorit të Kadastrave, që tha se do të bëjmë sikur do të legalizojmë 110 mijë shtëpi, por s’do e legalizojmë.

E vënë me thonj e me mish tuaj, e të bijve tuaj në emigracion, do i gënjejnë, thonë do i legalizojmë, do të marrim votën dhe do i mashtrojnë. Kjo është e vërteta e Edi Ramës, tetë vite braktisje, 110 mijë shtëpi. Kur po vija këtu më tha njëri po vjen prapë, po thashë, po më presin socialistët e Durrësit. Këtu janë vëllezërit dhe motrat tona. Vuajtjet kanë qenë të përbashkëta, shtypja e përbashkët, sepse siç e tha Arditi, besuan e punuan për PS dhe Edi Ramën, shiko si janë sot, të lënë pas dore, të braktisur, nën terror”- u shpreh Basha.

SHKARKO APP