”Bashkëpunimi qeveri-opozitë i domosdoshëm”, Ahmetaj: Veç dialog. Rama nuk ulet për pazare

Të domosdoshëm e quan zv/kryeministri Arben Ahmetaj, uljen në një tryezë dialogu të mazhorancës me opozitën në vend. Për të shtrirja e dorës nga ana e mazhorancës është jo e detyruar dhe shumë e sinqertë. Në ”News 24”, zv/kryeministri theksoi se PS-ja dhe kryeministri Edi Rama nuk do të ulen kurrë në tryezë për të bërë pazare, por për dialog.

”Në fazën që është vendi, domosdoshmëria e dialogut është tejet i domosdoshëm. Vendi ka nevojë për të gjitha palët politike, me mazhorancën që po shtrin dorën, një dorë jo e detyruar. Vetting-u do të bëhet dhe jam i bindur që opozita do ta votojë dhe do të vijë ta votojë. Për çështjet e mëdha është e dosmosdoshme që palët të ulen në një tryezë. Shqiptarët na shohin qartë se kush e ka seriozisht. Në një reflektim qytetar do të vijnë të ulen në tryezë. Praktikisht zhvillimet e vendit të detyrojnë. Shtrirja jonë e dorës është e sinqertë. Unë nuk formatoj dialogun mes dy forcave politike.

Është një detyrim gati i përditshëm. Dialogu është nevojë e përditshme. Ne nuk kemi asgjë për t’i ofruar opozitës përveç detyrimit ndaj shqiptarëve si politikanë normalë. PS dhe Edi Rama nuk ulet në tryezë në këmbim të diçkaje. Janë votat që kanë votuar opozitën që e detyrojnë atë të ulen në tryezë. Ne morëm më shumë vota, morëm përgjegjësinë për të drejtuar vendin në këto 4 vite, por çfarë i detyron të dyja palët të ulen është interesi i qytetarëve. Nuk është Pazar ulja, më jep të jap.

Fatet e vendit të detyrojnë si opozitën dhe mazhorancën të dialogojnë. Ne nuk mund të rrimë të shajmë. Pastaj do ulesh në tryezë është domosdoshmëri. Unë iki me parimin se askush nuk është peng i askujt. Ne jemi të detyruar që për atë përgjegjësi që na kanë dhënë qytetarët të ulemi e të dialogojmë dhe të përmirësojmë gjendjen e qytetarëve çdo ditë. Le të vijë opozita në tryezë dhe të thotë çfarë ka për të thënë”.

SHKARKO APP