BE çel negociatat, Kryemadhi: Njerëzit në karrige do të bëjnë çmos për ta dështuar këtë rrugë

Kryetarja Monika Kryemadhi, thotë se LSI-ja do të dedikojë energjitë për të çuar përpara nismat ligjore dhe angazhimet institucionale që e realizojnë sa më parë integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. Por sipas saj, njerëzit në karrige do të bëjnë çmos për ta dështuar këtë rrugë. ”Është koha që Shqipëria të bëhet Europë në të gjitha standardet. Është koha që Shqipëria të vendosi në fokus të veprimit qytetarët dhe aspiratën europiane të familjeve e fëmijëve të vendit”,-shkruan në një postim në facebook.

Postimi i plotë

Mirënjohje ndaj çdo vendi të Bashkimit Europian, për këtë ditë të sotme të çeljes zyrtare të negociatave, që i hap rrugën procesit më të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë me të drejta të plota në familjen europiane.

Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri, ndërsa detyrat për ta çuar përpara këtë rrugë, e ngarkojnë çdo aktor politik e shoqëror në vend, me përgjegjësi të reja për të realizuar transformimin rrënjësor e të gjithanshëm që Shqipëria europiane ka nevojë! Njerëzit në karrige nuk e duan dhe do të bëjnë çmos për ta dështuar këtë rrugë, në favor të autokracisë së pushtetit të tyre. Qeveria shqiptare institucionalisht, duhet të çlirohet nga praktikat e deri tanishme korruptive, klienteliste, në shkelje të ligjit dhe ndrydhje të të drejtave e lirive të qytetarëve.

LSI si parti parlamentare dhe forcë vendimtare në vend, do të dedikojë energjitë për të çuar përpara nismat ligjore dhe angazhimet institucionale që e realizojnë sa më parë integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. Tepër kohë është humbur me dështime për shkak të vendimeve personale të politikës së ditës. Duke vonuar integrimin në BE, kemi humbur qytetarët tanë që janë larguar në emigrim drejt jetës më të mirë në BE.

Është koha që Shqipëria të bëhet Europë në të gjitha standardet. Është koha që Shqipëria të vendosi në fokus të veprimit qytetarët dhe aspiratën europiane të familjeve e fëmijëve të vendit!

SHKARKO APP