Berisha: Do futem në parlament, më kanë votuar qytetarët shqiptarë. Ambasadorja të më kërkojë falje
Ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të tërhiqet nga vendimi për tu bërë pjesë e Parlamentit të ri në muajin shtator, pavarësisht kërkesës ultimative të ambasadores amerikane Yuri Kim drejtuar sot Lulzim Bashës që ish-lideri demokrat të mos jetë më pjesë e grupit parlamentar të PD-së.
Në një intervistë për “Ora News”, Berisha tha se nuk e ka pyetur fare Lulzim Basha dhe se as ky i fundit nuk i ka thënë asgjë.
“Unë as nuk e kam pyetur dhe as nuk më tha asgjë Basha. Nuk e pyeta. Drejtimi im dihet, do të jetë ai që kanë zgjedhur qytetarët shqiptarë” (nënkupton futjen në Parlament).
Më tej Berisha tha: “DASH e pohon vetë se burimet që më kanë shpallur mua non grata i ka nga OJQ-të rajonale të sponsorizuara nga Soros. Këto janë një makineri e Sorosit që kanë prodhuar shpifje dhe trillime të vazhdueshme. Edhe mediat kanë dhënë informacion, kur këto media kontrollohen nga Rama në pushtet. Po ashtu edhe raportet anti-korrupsion të qeverisë së Ramës.
Nëse merren për bazë shpifjet e kundërshtarëve, çdo opozitë mund ta shkatërrosh. Unë qëndroj në të drejtën time dhe mbroj dinjitetin tim dhe të gjithë atyre që më kanë votuar qysh nga viti 1991. I rikujtoj zonjës Kim se ata shprehjen e barin e ke nga shokë socialistë. Të sugjeroj t’ua çosh atyre, se demokratët nuk hanë bar. Ajo duhet të kërkojë ndjesë shqiptarëve dhe demokratëve dhe barin t’ia çojë Edi Ramës se ai pëlqen një lloj bari dhe ta mbajë me shëndet”.
Duke vazhduar për median në fjalë, ish-lideri demokrat shtoi se “’Kam folur me Bashën pas deklaratave të Yuri Kim. Basha nuk më tha gjë, as i kërkova gjë. Unë jam në misionin tim të besuar nga qytetarët, sepse PD nuk mund të dhunojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Unë ftoj cilindo përfaqësues të SHBA-ve dhe çdo person tjetër që të paraqesë një fakt të vërtetë kundër meje, por ato nuk ekzistojnë.’’- thotë Berisha.
Dhe në fund ish-kryeministri Berisha lëshon bombën:”
“Me Kim nuk pranoj kurrë sjellje prej gurvenatoreje. Besoj se një vend i lirë është një vend sovran. Ata që sillen si në një vend josovran, fyejnë një popull dhe një vend të tërë. Kurse probleme të tjera, pse anëson me një parti politike, është zgjedhje ka arsyet e veta dhe nuk më bënë përshtypje.
E qartë është që ka bërë zgjedhje të mbështetjes së Edi Ramës dhe të partisë në pushtet, por e vërteta është që kjo mbështetje prej kaq vitesh nuk e ka bërë Shqipërinë më mirë. Është keqpërdorur nga qeveria, gjithnjë kundër opozitës, për të lartësuar murin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar.”
Pra Sali Berisha do jetë në parlament që në seancën e parë parlamentare.