Brdaric: Jam i bindur se do të kualifikohemi me ndihmën e tifozëve!

Vllaznia do të kërkojë një tjetër kualifikim të enjten në mbrëmje, teksa në “Loro Boriçi” vjen AEL Limasoli. Sfida e parë ka përfunduar 1-0 në favor të skuadrës qipriote. Trajneri Brdariç i ka idetë e qarta që duhet të bëjë një lojë sulmuese por edhe të mbrohet për të mos pësuar dhe konfirmoi se Liridon Latifi është gati për ta nisur ndeshjen si titullar.

“E dimë që luajmë për historinë, do të jetë sfidë shumë e bukur për ne dhe duam ta arrijmë. Jemi plot energji, jam krenar për këtë që kemi arritur, edhe Shkodra duhet të jetë krenare për çfarë kemi arritur në këtë faze të Conference League. Tani duhet të japim më të mirën që të shkojmë edhe më tej.

Kemi analizuar ndeshjen e parë. Tani e kemi lënë pas ndeshjen në Qipro, jemi të përqendruar për të bërë disa ndryshime themelore dhe profesionale në nivelin e lojës, për të kuptuar nga gabimet, në mënyrë që të fitojmë. Kemi disa mënyra dhe zgjidhje sesi t’i mposhtim ata.

Janë një ekip me më shumë buxhet, kanë rroga dhe kushte më të mira. Gjithsesi, ne treguam atje se jemi një ekip. Këtu kemi avantazhin e tifozëve. Lojtarët e mi janë gjithmonë të bindur dhe gjithmonë gati për të bërë atë që kërkoj unë. Duke llogaritur edhe tifozët, unë jam i bindur për fitore.

Latifi është një lojtar që më pëlqen shumë. Përmirësimi që ka bërë javët e fundit por edhe aftësitë që ai ka, do na çojnë në një nivel tjetër si ekip. Ai ka ardhur këtu për të mbështetur dhe për të ndihmuar ekipin me aftësitë e tij. Është një lojtar që vërtetë e kam qejf. Nesër do e fillojë si titullar, nesër ka mundësinë më të mirë për të treguar aftësitë e tij.

Një emocion i veçantë. Është një arritje e jashtëzakonshme që kemi bërë nga sezoni i kaluar. E pamë edhe Teutën, jo gjithmonë e përcakton rezultati i parë se kush do të kalojë. Unë jam me vetëbesim maksimal që do të kalojmë, por duhet një punë e fortë për të fituar këtë betejë”, deklaroi Brdariç.

 

SHKARKO APP