Bylykbashi: Garda ushtroi dhunë fizike ndaj nesh, vendim fashist i Ramës

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, u shpreh se Garda e Republikës ushtroi dhunë fizike ndaj deputetëve të opozitës, vetëm për të mos lejuar që ata të kërkonin llogari ndaj kryeministrit Rama për përfshirjen në çështjen “McGonigal”.

Me një vendim fashist, maxhoranca e Edi Ramës përsëri përjashtoi deputetë të opozitës nga seancat plenare. Mbi 20 deputetë janë përjashtuar në mënyrë të vazhdueshme, pasi kërkojnë një të drejtë kushtetuese në emër të qytetarëve.

Kemi kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor, për të hetuar skandalin më të paprecedent të historisë së Shqipërisë, ku Rama përmes korruptimit të McGonigal tentoi të godiste opozitën. Kërkojmë të hetohet me themel e gjithë afera e Ramës me McGonigal që synon goditjen e pluralizmit në Shqipëri.

Ne përfaqësojmë të gjithë së bashkë më shumë se 750 mijë zgjedhës. T’i kërkojmë llogari Edi Ramës për këtë skandal. Ai vendim i mëparshëm që na përjshtoi deputetët, të anulohet si anti-kushtetues dhe I paligjshëm për shkeljen e të drejtave të deputetëve. Ligji I siguron çdo deputeti të marrë pjesë në mbledhjen e Byrosë.

Pastaj pas dëgjesave me ne të merret një vendim. Ju e patë sesi Garda ushtroi dhunë fizike ndaj deputetëve për të mos lejuar që të kërkonim llogari ndaj kryeministrit. Nuk është hera e parë kjo”, u shpreh Bylykbashi para Parlamentit.

SHKARKO APP