Colella: Kastrioti skuadër e fortë, ndaj Vllaznisë nuk ishte një disfatë

Trajneri i Partizanit, Giovanni Colella ka folur për mediat në një konferencë për shtyp në prag të sfidës kundër Kastriotit, që do të luhet nesër në orën 13:00.

“Ndaj Vllaznisë është një ndeshje e humbur dhe jo një disfatë. Disfatë është humbja 8-2 e Salernitanës ndaj Atalantës. Kjo është vetëm një ndeshje e humbur, pastaj sigurisht merret ajo që ndodhi me Vllazninë dhe mundohesh të përmirësohesh. Është si zakonisht, nuk është se fitove dhe nuk ke çfarë të përmirësosh dhe nëse humbe duhet të përmirësosh gjithçka. Sigurisht ka gjëra për të cilat kemi folur e diskutuar.

Mendoj se në çdo vend të botës, merkatoja duhet mbyllur kur luhet kampionati. Është një gjë të cilën në Itali e diskutojmë prej 30 vitesh, është absolutisht idiotësi që merkatoja është e hapur kur luhet kampionati. Por kjo vlen për ne, për Vllazninë, Kastriotin, të gjithë, si na shqetëson ne, shqetëson edhe të tjerët. Është një rregull që duhet ndryshuar.

Çdo ndeshje duhet ta fitosh, të provosh ta fitosh, nuk ka rëndësi nëse është Kastrioti, Vllaznia apo tjetër. Për mendjen e ekipit tim, është më mirë të kenë një pikë avantazh sesa katër. Nesër nuk do të jetë vetëm një beteje për kreun, por edhe se Kastrioti është një skuadër që luan shumë fort.”, tha Colella.

SHKARKO APP