Çuçi mbledh Grupin e PS: Dilni në terren, konsiderojeni si një periudhë fushate

Paraditen e kësaj të hëne Bledi Çuçi mblodhi Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste për të diskutuar mbi agjendën e javës së re në Kuvend.

Në mbledhjen e grupit, Çuçi u kujtoi deputetëve porositë e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e partisë. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, u kërkoi deputetëve më shumë takime në terren, duke e konsideruar si periudhë fushate.

“Duhet një prezencë e shtuar fizike në terren sipas zonave tuaja. Konsiderojeni këtë si një periudhë fushate duke nisur që nga dje. Është shumë e rëndësishme që procesin zgjedhor brenda partisë ta ndjekim personalisht. Ka nevojë për ritëm të shtuar për të kapur afatet”, u shpreh Çuçi.

Lidhur me seancën e ditës së enjte, Çuçi foli për projektligjet që janë në rendin e ditës për t’u votuar. Bëhet fjalë për Projektligjin “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore” dhe Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore”

Sa i përket Amnistisë Penale do të shqyrtohen nëpër komisione gjatë kësaj jave amendamentet që janë propozuar në mënyrë që projektligji të shkojë për votim në seancën e javës së ardhshme.

SHKARKO APP