Denoncimi tronditës i pacientes: Jetova tre muaj me këtë fasho në bark, mjeku e harroi gjatë operacionit

Skandalet që prodhon neglizhenca e mjekëve janë nga më të paimagjinueshmet. I tillë është rasti i një pacienteje të quajtur Blerta Xhaferraj, e cila pasi i është nënshtruar një operacioni, mjeku i ka harruar në bark një fasho të plotë me gjatësi të konsiderueshme.

Nga imazheria dilte rreth 11 centimetër e gjatë por duhet të kemi parasysh se ajo ka qenë e mbledhur. Në momentet e nxjerrjes nga barku duket se fasha ishte edhe më e gjatë siç duket në këto pamje të cilat ne do ti shfaqim të censuruara pasi janë tepër të rënda. Për shkak të tronditjes psikologjike që pësoi, zonja Xhaferraj e ruan ende fizikisht edhe pas 3 vitesh këtë fasho si provë të një skandali mjekësor.

Si ka nisur historia që i rrezikoi jetën 51-vjeçares, e cila edhe pse me një vendim gjykate në favor, nuk po merr drejtësinë e merituar. Referuar dokumenteve, pacientja i është nënshtruar një operacioni në spitalin privat Hygeja në 5 Mars të vitit 2020 për heqjen e një mase mishi të huaj në mitër.

Operacioni në spitalin privat u realizua nga kirurgu Helidon Klosi, i cili edhe në vitin 2016 është arrestuar nën akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm”. 10 ditë më vonë, pacientja ka hequr penjtë. Por, pasojat e fashës brenda trupit kishin filluar të ndiheshin duke u manifestuar me dhimbje barku dhe temperaturë. Ajo nuk u normalizua asnjëherë dhe i shprehu shqetësim doktorit Klosi. Muajt në vijim gjendja rëndohej. /Marr nga Top Channel/

SHKARKO APP