Deputeti i PD-së, Gështenja: Më 14 maj të përdorim shoqërinë civile si kartë fituese. Të mos përsëritet 6 marsi

Deputeti i PD-së Lefter Gështenja, i cili ka mbledhur grupin e Alibeajt disa herë në këto muajt e fundit, thotë se demokratët duhet të bëhen bashkë me çdo kusht. Për të nuk duhet përsëritur gabimi i 6 marsit, ndërsa hodhi idenë e shfrytëzimit të potencialeve që ofron shoqëria civile.

”Grupi parlamentar mblidhet para çdo seance parlamentare. Grupi ku unë bëj pjesë nuk mbështet idenë e asimilimit të njërës pjesë. Diskutimi brenda këtij grupi është që e gjithë opozita duhet të dalë me një kandidat. Nuk është thjesht çështje vetëm e PD. Është më e gjerë. Është çështje e opozitës. Ne kemi autorizuar zotin Bardhi të eksplorojë mundësitë e bashkëpunimit. Ne kemi mundësi, nëse ka vullnet e dëshirë, të gjejmë pika të përbashkëta. Ne anashkalojmë shoqërinë civile, do të ishte hera e parë që opozita shqiptare ta përdorte si kartë fituese. Ne duhet të zgjedhim kandidatë me profil të lartë publik, jo domosdoshmërisht politik”,-tha në ”MCN TV”.

Lidhur me darkën e deputetëve demokratë në Pogradec, Gështenja tha se ka qenë një takim i vetëorganizuar. ”Nuk e vërtetë që kam organizuar darkën në Pogradec. Në një nga mbledhjet e organizuara nga grupi parlamentar u ra dakord të organizonim një darkë si grup. Nuk kishte nevojë për ftesa. Ishte mbledhje e fundvitit, ramë dakord për darkë. Pra, ishte e vetorganizuar. Ka qenë një darkë për të qenë të gjithë bashkë si kolegë”,-tha më tej deputeti.

SHKARKO APP