Home POLITIKE Deputetja Pam...

Deputetja Pampuri për VOA-n: Për qytetarët nuk ka rëndësi kush është më i forti brenda dy grupeve në PD

189
0

Deputetja dhe zëdhënësja e grupi parlamentar të Partisë Demokratike, Orjola Pampuri, flet mbi zhvillimet më të fundit brenda kësaj force politike, e cila prej më shumë se një viti është përfshirë nga një krizë e fortë brenda saj. Gjatë një interviste për ”Zërin e Amerikës”, Pampuri flet gjithashtu dhe mbi rolin e ish-kryetarit të PD-së Lulzim Basha brenda grupit parlamentar.

Zëri i Amerikës: Zonja Pampuri pas rreth 5 muajsh, më 14 maj në Shqipëri mbahen zgjedhjet lokale. Ajo që në fakt duhet të ishte një sfidë, me kundërshtarin politik, pra Partinë Socialiste, duket se do të jetë një sfidë brenda vetë Partisë Demokratike, për shkak të përçarjes së thellë. Grupi parlamentar i drejtuar nga zoti Alibeaj, do të përfaqësohet me kandidatët e vet ndërsa grupi i përfaqësuar nga zoti Berisha, me kandidatët e sapopërzgjedhur nga i ashtuquajturi procesi i primareve. Çfarë prisni ju nga këto zgjedhje kur duket se grupi juaj përfaqëson një fraksion të vogël, disa thonë të papërfillshëm?

Orjola Pampuri: Faktikisht kjo është një shprehje e cila përdoret rëndom, por që është paksa relative. Të përfaqësosh një fraksion të vogël apo një fraksion të madh është çështje tjetër dhe deri më sot nuk është matur. Kemi zgjedhjet e 6 marsit, në të cilat nuk kishim një fitues përballë Edi Ramës, por kishim fitues apo humbës brenda grupit tonë. Them relative sepse kemi zgjedhjet në Dibër, ku rezultati ishte aty aty mes të dyja palëve. Megjithatë kjo nuk është hiç e këndshme që diskutohet se kush është më i forti mes një partie.

Ne kemi një kundërshtar dhe ai është Edi Rama dhe kjo është çështja më e rëndësishme që duhet të ishte për të gjithë ne prioritet. Dhe kjo duhet të prevalonte. Në fakt duhet të prevalonte që në momentin që ne morëm iniciativën dhe ju e dini shumë mire, ku zoti Bardhi ka bërë disa takime sigurisht kemi patur një platformë të paraqitur kundrejt grupit tjetër, për të qenë me një kandidat të përbashkët në këto zgjedhje lokale, gjë që nuk rezultoi pozitive.

Ne padiskutim jemi që të zgjidhet një kandidat që është nga vetë elektorati, nga vet simpatizantët e PD-së, pjesa e rëndësishme e PD-së. Por në momentin që u anashkalua kjo dhe u vlerësua që do të votonte çdo simpatizant i cili nuk mund të verifikohej se cili ishte, brenda tyre mund të ketë edhe socialistë, pastaj kjo e tejkalon atë masën e seriozitetit dhe këtu nuk kishte seriozitet.

Pastaj, ajo që ne kemi theksuar ka qenë që të jetë një kandidat i cili të ishte përballë kandidatit të kundërshtarit tonë, pra të Partisë Socialiste, gjë që nuk u ra dakord deri në fund. Sigurisht ky kandidat duhet të jetë nën logon e PD-së zyrtare dhe kjo sigurisht është ajo që vlen më shumë në fund. Pastaj, kush është shumica, kush është pakica brenda grupit, kjo është relative, sepse ke një numër shumë të madh votuesish gri, që nuk e di askush se sa është shumica dhe pakica dhe unë besoj dhe jo vetëm unë që janë shumë…

Zëri i Amerikës: Pra ju po thoni se nuk është përcaktuar ende se kush e ka shumicën?

Orjola Pampuri: Absolutisht jo. Kjo është relative, jemi shumica apo jemi pakica. Kjo është çështje totalisht relative. E rëndësishme për qytetarët nuk është kush është më i forti brenda këtyre dy grupeve. E rëndësishme për qytetarët është të ketë një fitues dhe të çlirojë vendin nga korrupsioni dhe të gjitha këqijat që e kanë kapluar dhe kjo është më e rëndësishmja. Pastaj, nuk e di kujt se kujt i intereson kjo që unë jam më i fuqishëm dhe ti je më pak i fuqishëm. Kjo është çështje që nuk i shpëton dhe nuk i zgjidh hallet shqiptarëve sot.

Zëri i Amerikës: Cili është roli i zotit Basha brenda grupit parlamentar të PD-së?

Orjola Pampuri: Zoti Basha ka bërë një akt i cili është për t’u vlerësuar. Në kohën që Partia Demokratike kishte një ngërç, besoj që duhet të tërhiqeshin të dyja palët. U bë një kërkesë nga të gjithë deputetët që të tërhiqeshin të dyja palët. Zoti Basha e bëri tërheqjen e tij, bëri hapa pas, dha dorëheqjen. Sigurisht pritej dhe nga ana tjetër, dhe nuk pati. Për sa i takon rolit të zotit Basha, sot ai është deputet i PD-së, natyrisht bën takime si ish-kryetar i PD-së dhe kjo është në të drejtën e tij, të zhvillojë takime, si brenda dhe jashtë vendit, sepse për një kohë të gjatë ka qenë kryetari i PD-së.

Zëri i Amerikës: Në protestën e fundit të zhvilluar nga krahu tjetër i PD-së, pati një rast dhune, u godit ish-kryeministri Berisha, një incident që u dënua nga të gjitha forcat politike. Por duke e lënë mënjanë rastin në fjalë. Sa mendoni se ndikon, retorika e ashpër që përdoret në parlament apo gjuha e urrejtjes ndaj kundërshtarëve politik, në nxitjen e akte të kësaj natyre?

Orjola Pampuri: U bë gati një vit e gjysmë që përballemi me një gjuhë të ashpër, me një gjuhë urrejtjeje, që ka prevaluar gjatë gjithë kësaj kohe. Në momentin që t’i nuk i bindesh mendimit të tjetrit edhe brenda nesh. Kjo nuk është fare e drejtë, ashtu siç nuk ishte hiç i drejtë dhe grushti kundrejt zoti Berisha gjatë protestës. Absolutisht është i dënueshëm, personi që e kreu atë akt duhet të hetohet, duhet të hetohet arsyeja që e shtyu dhe duhet t’i shkohet deri në fund, sepse është një precedent shumë i rrezikshëm, e theksoj shumë i rrezikshëm, ai që ndodhi në protestë. Duhet t’i shkohet deri në fund, që të gjendet arsyeja që e nxiti të bënte këtë gjest kaq të ulët. Dhuna nuk na çon askund, dhuna nuk zgjidh asgjë. Sot duhet të prevalojë argumenti, faktet dhe asgjë tjetër më shumë. Dhuna nuk të çon askund.

Zëri i Amerikës: Sot në Shqipëri përkujtohet 8 dhjetori, Dita e Rinisë, dita simbol e protestave studentore që përmbysën regjimin komunist. Megjithë përparim që ka shënuar vendi, ka ende shumë probleme me ndërtimin e një shteti ligjor demokratik, po kështu vihet re një rritje e frymës autoritare në mënyrën se si drejtohen partitë në vendin tuaj, në të majtë e të djathtë. Çfarë mesazhi mendoni se jep sot politika, kur ende sot pas 32 vitesh, vendi nuk ka arritur të çrrënjosë konceptimin e udhëheqësit si idhull, nga kulti i individit, ku udhëheqësi vendos për gjithçka?

Orjola Pampuri: Para 32 vitesh kam qenë fëmijë, me prindërit në atë protestë, ku kërkohej që Shqipëria të ishte si e gjithë Evropa, që Shqipëria të mbështeste SHBA-të, sikurse i mbështet edhe sot. Dhe sot kërkohet ende të jemi si gjithë Evropa. Kemi progres-raporte që tregojnë se Shqipëria nuk ka bërë hapa përpara, në çështje si korrupsioni, ikja e të rinjve largimi I shqiptarëve. Liria e medias është shumë thelbësore për Shqipërinë dhe këto janë çështje që përmenden shpesh herë në progres-raportet e Komisionit Evropian. Jemi ne sot elita e re që është pjesë e PD-së, që jemi në krah të SHBA-së, në krah të BE-së, për ta çuar Shqipërinë përpara.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit