Di Canio kritikon Spallettin: Kombëtarja nuk është qendër rehabilitimi

Ish-sulmuesi italian Paolo Di Canio ka komentuar zgjedhjet e trajnerit Luciano Spalletti për përgatitjet para Europianit Gjermani 2024, teksa ka mbajtur qëndrimin e tij kundër grumbullimit të mesfushorit të Juventusit, Fagioli.

Ky i fundit ka qëndruar 8 muaj pa aktivitet, pasi u pezullua për përfshirje në baste sportive, teksa Di Canio nuk i kurseu kritikat për Spallettin, që vendosi ta marrë në grumbullim.

“Kombëtarja nuk është një qendër rehabilitimi. Fagioli u pezullua për përfshirje në baste dhe për më tepër, prej 8 muajsh nuk ka pasur mundësinë të zbresë në fushë. Mendoj se nuk duhej të ishte grumbulluar, por jam i bindur që Spalletti nuk do ta marrë në Gjermani.

Donnarumma më ka zhgënjyer. Prisnim të ishte një Buffon i ri, por ai gabon shpesh dhe për më tepër, nuk di të luajë me këmbë. Vihet nën presion sa herë që shokët i pasojnë topin, duke gabuar shpesh. Nuk ofron aspak garanci.

Jam kurioz të shoh Bellanovën, që ka shpejtësi dhe krosime të mira. Gjithashtu pres shumë nga Jorginho, që ka eksperiencën e duhur për të udhëhequr skuadrën. Njeh mirë gjeometrinë e fushës dhe mund të jetë vendimtar me paraqitjen e tij”, tha Di Canio.

Italia do të nisë rrugëtimin në Europian më 15 qershor me duelin ndaj Shqipërisë në “Signal Iduna Park” të Dortmundit.

SHKARKO APP