Disa nga të veçantat e Europianit që starton mbrëmjen e sotme!

Kampionati Evropian do të startojë mbrëmjen e sotme me duelin mes Turqisë dhe Italisë. Bëhet fjalë për edicionin e 16 të këtij kompeticioni, që për herë të parë në histori u shty në kohë, për arsye të pandemisë së koronavirusit si dhe përshkallëzimit të situatës me virusin Covid–19.

Gjithçka ishte programuar fillimisht për t’u zhvilluar nga 12 qershori deri më datën 12 korrik të vitit të kaluar, ndërsa tani ky kompeticion është afruar me një ditë në kalendar dhe ndeshjet do të shtrihen në kohë në harkun e një muaji, nga 11 qershori deri më datën 11 korrik.

Qeveria Evropiane ka bashkërenduar punët me gjithë Federatat e vendeve të përzgjedhura, për të synuar organizimin e një evropiani model. Gjithsej janë 11 vende që do të presin ndeshjet e këtij pan-evropiani, nga 13 që ishin zgjedhur fillimisht, por Belgjika u tërhoq, për shkak të vonesave në ndërtimin e impiantit të Brukselit EURO Stadium, në Grimbergen, ndërsa Republika e Irlandës hoqi dorë, pasi nuk garantonte zhvillimin e takimeve në Aviva Stadium të Dublinit me praninë e spektatorëve, për shkak të frikës së përhapjes së virusit COVID-19, ndërkaq Stadiumi i Bilbaos San Mames në Spanjë u zëvendësua po brenda kufijve të vendit iberik me Stadiumin La Cartuja të Seviljes.

Vendet e përzgjedhura pra janë Londra, Roma, Mynihu, Budapesti, Bukureshti, Kopenhageni, Sevilja, Amsterdami, Gllazgou si dhe qytete si Baku dhe Shën Petërsburgu. 9 nga 11 vendet që organizojnë këtë aktivitet përfaqësohen me skuadrat e tyre kombëtare, kështuqë në fazën finale të këtij kompeticioni mungojnë vetëm vende si Azerbajxhani dhe Rumania.

Italia, Gjermania, Danimarka, Holanda, Anglia dhe Spanja do të kenë privilegjin për t’i zhvilluar që të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve në shtëpi, ndërkohë sfidat e fazës me eliminim të drejtpërdrejtë do të vijojnë nëpër qytete të ndryshme, ndërsa takimet e mbetur në “final four”, pra nga faza gjysmëfinale e më tej do të mbahen në Londër në Wembley.

Në këtë evropian për herë të parë ndeshjet do të monitorohen nga Sistemi VAR, sidoqoftë kapaciteti i stadiumeve do të jetë në varësi të protokolleve dhe masave shtrënguese anti–covid që janë aprovuar nga çdo shtet apo qoftë edhe situata aktuale e vetë vendeve organizatore, në këtë aspekt, gjithsesi bëhet fjalë për një luhatje më së shumti në nivelet nga 20 – 50%, pasi në “Budapest Puskas Arena” do të jetë e mbushur me 67.215 të pranishmëm.

 

SHKARKO APP