Kreu i PD, Sali Berisha, nuk i kurseu sulmet dhe akuzat ndaj mazhorancës gjatë seancës së sotme plenare.
Berisha iu drejtua mazhorancës me emrin “banda e Lalëzit” dhe u shpreh se kjo qeveri nuk ka legjitimitet për të diskutuar apo miratuar buxhet, pasi sipas tij është e dalë nga zgjedhje të plaçkitura.
“A e kuptoni ju se çfarë përshtypjeje keni bërë te shqiptarët? A e kuptoni ju se çdo gjë mund të dukeni, por zyrtarë nuk jeni më? A e kuptoni se Padrino të gjithë fjalën e kishte kundër jush, sepse po i vjen fundi? A e kuptoni ju se nuk keni asnjë të drejtë morale të merreni me buxhetin? Ju nuk keni legjitimitet. Ju keni humbur çdo legjitimitet. Ju keni dalë nga zgjedhje të plaçkitura dhe keni mbrojtur korrupsionin.
A e kuptoni ju se në mullarin e zi të raportit të Bashkimit Evropian qëndrojnë Lubia dhe Palloshi i Gjatë? Çfarë buxheti do të miratoni ju? Dhe mburreni: 10 miliardë vjedhje. 10 miliardë vjedhje me paketën fiskale të ndëshkimit të shqiptarëve.
A jetoni në Shqipëri apo jo? A e dini ju se EUROSTAT-i deklaroi dje se, për shqiptarët, të ardhurat janë rritur, por varfëria është shtuar?
A e dini, o qytetarë, pse ka ndodhur kjo? Sepse është pjesëtuar prodhimi i përgjithshëm për frymë me gjithsej 2 milionë e 200 mijë shqiptarë.
Por, po t’i krahasosh me çmimet, shqiptarët janë më të varfrit në Evropë. Në qoftë se maqedonasit blejnë me çmime që janë 60 për qind e çmimeve evropiane, shqiptarët blejnë me çmime që janë 110 për qind e çmimeve evropiane.
Po pse? Sepse Padrino, me kartelet e drogës, e ka zhytur Shqipërinë në narkoeuro dhe narkodollarë.
A e dini ju pse janë rritur të ardhurat? Sepse raporti i lekut me dollarin është në qiell.
Pra, çfarë do t’u bëni ju më keq shqiptarëve se tani, duke ua rritur edhe taksat? Duke ua rritur edhe më tej çmimet?
Çmimet janë 110 për qind e mesatares evropiane. Tani, me këtë paketë, do t’i përzini përsëri.
Të parët që duhen përzënë nga Shqipëria jeni ju, por nuk do të përziheni; do të shkoni atje ku e keni vendin“, u shpreh Berisha.
Ndërkohë ajo që ka marë vëmendje është batuta e kryeministrit Edi Rama në momentin që Berisha po largohej nga foltorja.
“Lidh brekët (pantallonat) dhe ik tani”, tha Rama.
