
Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj analizon vizitën e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu në burgun e Fierit, ku zhvilloi një takim me kryebashkiakun Erion Veliaj. Lapaj ka hedhur një deklaratë të fortë mbi situatën e Veliajt, duke u shprehur se, sipas tij, alternativa e vetme që i ka mbetur kryebashkiakut është të bashkëpunojë me drejtësinë.
”Unë nuk kam mbështetur, por persekutimi që i është bërë Ilir Metës nuk i është bërë njeriut. Veliaj është bashkautor i këtij sistemi, e ka mbështetur pa kushte Edi Ramën. Madje ka udhëhequr proceset, ka bërë gjithçka që Rama të vijë në këtë pikë. Sistemi monstruoz ka filluar të hajë këmbët e veta. Kur çahet banda, grupimi më i fortë imponohet dhe fillon eliminimi.
Së pari, eliminimi politik, së dyti, ekonomik, së treti, fizik. Sistemi i ngritur në Shqipëri, që bazohet te Maliqi dhe banda, prodhon këtë realitet. Unë e shoh vizitën e Gogut si përcjellje mesazhi.
E para, ka vajtur në orar të papërshtatshëm; së dyti, kishte 20 muaj pa shkuar; së treti, shteti funksionon me protokoll, me shkresa zyrtare, me datë, me numër. Nuk shkohet me letra në xhep apo porosi në mendje. Në këtë kuptim, këto janë mesazhe të koduara të një bande të prishur në pazar, që pasi nuk u morën vesh në prapaskenë, po bëjnë luftë frontale. Në vend që të çojë lekë në Amerikë, të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë”, thotë Lapaj.
