
Një deklaratë me pesë pika, e iniciuar nga Forumi për Dialog Politik, ka marrë deri më tani firmat e 735 pedagogëve, të cilët shprehin kundërshtimin ndaj dhunës së pretenduar ndaj studentëve gjatë protestave dhe kërkojnë ndryshime në drejtimin e vendit. Përmes këtij dokumenti, firmëtarët i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama të dëgjojë kërkesat e studentëve, të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë krijimit të një qeverie kujdestare. Sipas tyre, një qeveri e tillë do të duhej të garantonte stabilitetin institucional, qetësimin e situatës politike dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Në mesin e emrave që kanë firmosur deklaratën janë akademikët Stefan Çapaliku dhe Ardian Ndreca, si dhe Fatos Tarifa, Zyhdi Teqja, Andri Koxhaj, Petraq Milo, Gjok Vuksani, Fatos Qerimaj, Gentian Stroni, Enkeleda Olldashi, Kozeta Bakiu, Suzana Guxholli, Areti Stringa, Voltana Ademi, Enida Bozhegu, Lutfi Dervishi dhe Arbër Rendi, anëtar i Senatit Akademik.
Në tekstin e deklaratës, pedagogët shprehin shqetësimin për atë që e cilësojnë si dhunë të pajustifikuar ndaj studentëve dhe shkelje të të drejtave të njeriut gjatë protestave. Përveç thirrjes drejtuar kryeministrit, firmëtarët i kërkojnë Policisë dhe institucioneve përgjegjëse për rendin publik të ndalojnë çdo akt dhune ndaj studentëve. Ata u bëjnë gjithashtu thirrje efektivëve të mos zbatojnë urdhra që i konsiderojnë të paligjshëm.
Deklarata u drejtohet edhe përfaqësive diplomatike në Tiranë, të cilave u kërkohet të reagojnë publikisht në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve. Një tjetër pikë e dokumentit lidhet me sjelljen e protestuesve. Pedagogët u kërkojnë atyre të mbrojnë bizneset, si dhe pronën publike e private, duke argumentuar se kjo do të shmangte justifikimet për përdorimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës.
Në fund, firmëtarët u bëjnë thirrje qytetarëve të Tiranës t’u bashkohen studentëve, duke iu referuar edhe lëvizjeve studentore të vitit 1991. “Nëse ne jemi liderë në auditorët e universiteteve, sot studentët janë liderë tanë në shesh. Bashkohuni me ne për t’i mbrojtur nga dhuna”, thuhet në përfundim të deklaratës.
