Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, po reflektohet gjithnjë e më shumë në administratën e bashkisë. Sipas raportimeve, kanë nisur ndryshime në drejtimin e disa institucioneve në varësi të saj.
Nga paraburgimi i Fierit, Veliaj ka firmosur largimin nga detyra të disa zyrtarëve që konsiderohen të afërt me kryeministrin Rama. Mes tyre është Rigers Sheqeri, i cili mbante postin e kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.
Rigers Sheqeri u filmua natën që u sulmua selia e PS, ku ishte me disa punonjës të IMT, me shkopinjë druri, duke mbrojtur selinë e PS.
Është shkarkuar gjithashtu Zhaneta Beqiri, drejtoreshë e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve në Tiranë.
Ndërkohë, raportohet se në proces largimi nga detyra është edhe drejtoresha e Policisë Bashkiake, Elona Lalaj, çështje që ka shkaktuar reagimin e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste për Tiranën, Rama kritikoi vendimet për largimin e punonjësve të bashkisë, duke pretenduar se disa prej tyre po ndëshkohen për shkak se nuk pëlqejnë apo shpërndajnë postimet e Veliajt në rrjetet sociale.
“Po si mund të largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit […] pse nuk u bëjnë like e share dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik?”, deklaroi Rama, duke iu referuar Lalajt.
Këto vendime vijnë në një kohë kur raportet mes tyre janë përkeqësuar ndjeshëm. Lëvizjet në administratë po interpretohen si pjesë e përplasjes politike mes tyre, pra konflikti po kalon nga përplasja publike në ndryshime konkrete brenda institucioneve të kryeqytetit. Kjo e çon përplasjen në një tjetër nivel dhe ngre pikëpyetje për vazhdimësinë e punëve në Bashkinë e Tiranës.
Administrata bashkiake duhet të funksionojë në shërbim të qytetarëve, jo të kthehet në fushë beteje mes grupeve politike. Kur ndryshimet në poste perceptohen si hakmarrje apo luftë për ndikim, dëmtohet besimi te institucionet dhe rrezikohet përditshmëria e shërbimeve.


