Në një kohë kur protesta e studentëve kërkon zë, drejtim dhe mbështetje më të gjerë, emri i mjekut Ermal Pashaj po shihet nga protestuesit si një mundësi përbashkuese. Besimi që ata kanë shprehur ndaj tij nuk duket i rastësishëm: Pashaj është një profesionist i formuar, pedagog dhe aktivist shoqëror, me një profil që kapërcen kufijtë e politikës partiake. Ai ka qenë dhe është pjesë e protestës qytetare dhe studentore.
Karriera e tij ndërthur mjekësinë, kërkimin shkencor dhe mësimdhënien. Ai është kirurg maksilofacial në Spitalin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe pedagog pranë universitetit me të njëjtin emër. Ka studiuar Mjekësi dhe Kirurgji, si edhe Odontoiatri e Protezë Dentare; specializimin e kreu pranë QSUT-së. Në vitin 2023 mori gradën “Doktor i Shkencave Mjekësore” në Universitetin Tor Vergata të Romës, ndërsa në shtator 2026 fitoi titullin europian FEBOMFS në kirurgjinë maksilofaciale dhe onkologjinë e kokës e qafës.
Por në këtë debat nuk ka rëndësi vetëm CV-ja. Një figurë bashkuese duhet të ketë edhe besimin e njerëzve që dalin në protestë, të jetë e gatshme të dëgjojë dhe të mbrojë kërkesat e tyre. Pikërisht këtu qëndron pesha e mbështetjes që studentët i kanë dhënë Pashajt: ajo mund t’i japë lëvizjes një zë të njohur, të përgatitur dhe të respektuar.
Protesta studentore ka nevojë të ruajë karakterin qytetar, por edhe të krijojë ura me qytetarët, intelektualët dhe forcat politike që kërkojnë ndryshim. Pashaj mund të ndihmojë në këtë proces, duke u bërë pikë takimi mes studentëve dhe një opozite që shpesh ka vuajtur nga mungesa e një zëri të përbashkët. Ai mund t’i japë kauzës më shumë besueshmëri dhe ta ndihmojë atë të dalë përtej përplasjes së zakonshme partiake.
Në Tiranë, gara përballë kandidatit të Partisë Socialiste kërkon një alternativë që të mos jetë thjesht kundërshtim politik, por të mbështetet te njerëz të besueshëm, te ide konkrete dhe te një angazhim real për qytetin. Një figurë si Ermal Pashaj mund ta përfaqësojë këtë kërkesë, nëse vendos ta marrë përsipër dhe nëse studentët e qytetarët që e mbështesin i qëndrojnë pranë deri në fund.
Ermal Pashaj e meriton të merret seriozisht si një figurë e mundshme përbashkuese për Bashkinë e Tiranës. Besimi i protestuesve është kapitali i tij më i rëndësishëm; formimi dhe përvoja i japin peshë publike. Nëse ai arrin ta kthejë këtë besim në dialog, organizim dhe një platformë të qartë për Tiranën, mund të bëhet një zë i rëndësishëm për studentët dhe për të gjithë ata që kërkojnë një alternativë të re.
Një figurë e tillë i jep zë protestës, opozitës dhe krejt pjesës së votuesve “gri”.
Në fakt PD ka emrin e mjekut të njohur Ilir Alimehmeti, nëse futet e vetme në zgjedhje. Por nëse gjëndet përbashkim masiv, ku Protestuesit studentë dhe qytetarë, bashkohen me partitë e opozitës, emri quhet Ermal Pashaj.
