Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, gjatë një takimi me kryeministrin Edi Rama në Bruksel.
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së kreut të qeverisë shqiptare në kryeqytetin belg, ku në qendër të bisedimeve ishte e ardhmja europiane e Shqipërisë dhe hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Metsola rikonfirmoi qëndrimin mbështetës të Parlamentit Europian ndaj procesit të zgjerimit, duke përgëzuar Shqipërinë për progresin e arritur.
“Dua t’ju përgëzoj për përparimin që keni bërë në këtë proces. Siç e dini, ky Parlament është shumë, shumë mbështetës i zgjerimit. Prandaj është mirë që jeni këtu. Mund të mbështeteni në përkrahjen tonë në këtë drejtim”, deklaroi Metsola.





