
Sali Berisha i është kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama pas akuzave të këtij të fundit ndaj opozitës, të cilën e fajësoi se synon të përsërisë ngjarjet e 21 Janarit, duke përdorur të miturit në protestat e dhunshme. Këtë të hënë nga dera e SPAK-ut, Berisha e cilësoi kryeministrin si “zjarrvënësin më të madh në historinë e kombit”, duke e akuzuar për largimin masiv të të rinjve shqiptarë nga vendi dhe për dëmtimin e ekonomisë përmes abuzimit me fondet publike.
“Është ai që ka djegur, ka shkatërruar ëndrrat, gjatë pushtetit të tij, të rreth 720 mijë të rinjve shqiptarë”, deklaroi Berisha, duke pretenduar se të rinjtë janë detyruar të largohen nga Shqipëria për të kërkuar një të ardhme më të mirë.
Kreu i PD-së ngriti gjithashtu akuza për korrupsion ndaj qeverisë, duke përmendur emrat e Lubi Ballukut dhe Ergys Agasit. “Me Lubi Ballukun dhe Ergys Agasin ka plaçkitur mbi 12 miliardë euro nga taksat e shqiptarëve. Ka ndërtuar rrugë 10 herë më shtrenjtë se në Europë”, u shpreh Berisha.
Ai vijoi sulmet ndaj kryeministrit, duke e lidhur qeverisjen e tij me gjendjen ekonomike të pensionistëve shqiptarë. “A ka zjarrvënës më të madh se Rama, se njeriu që e katandisi pensionistin shqiptar të flasë me vete?”, tha kreu i opozitës. Berisha e cilësoi protestën si një mision për ndryshimin e situatës politike në vend dhe konfirmoi mbështetjen e Partisë Demokratike për revoltën qytetare. ”Protesta, revolta, është misioni i çlirimit të këtij kombi. Ai është përgjegjësi i kësaj katastrofe. PD e mbështet me gjithë forcën këtë revoltë deri në fitoren e saj”, deklaroi Berisha.
