
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka përgënjeshtruar pretendimet se një avion nga Izraeli do të sillte pajisje për Policinë e Shtetit, duke i cilësuar si të fabrikuara.
Zëdhënësi i ministrisë, Alteo Hysi, deklaroi se informacioni u përhap në rrjetet sociale i paraqitur si një raport inteligjence, me synimin për t’i dhënë më shumë besueshmëri. “Edhe ky pretendim bëri xhiron e zakonshme dhe, edhe këtë herë, bëhet fjalë thjesht për një fabrikim”, u shpreh Hysi.
Ai kujtoi edhe raste të mëparshme të pretendimeve të rreme për sjelljen e forcave shtesë policore nga një vend fqinj dhe për shtimin e fluturimeve nga Izraeli, këto të fundit të përgënjeshtruara nga Aeroporti “Nënë Tereza”.
Sipas Hysit, përhapja e qëllimshme e lajmeve të rreme për të nxitur pasiguri dhe tensione përbën një shqetësim serioz, veçanërisht kur përfshihen aktorë të huaj. “Ndërhyrja e huaj përmes manipulimit të informacionit […] përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, besimin publik dhe funksionimin e institucioneve demokratike”, theksoi ai.
Në përfundim, zëdhënësi u bëri thirrje qytetarëve të verifikojnë informacionet përpara se t’i besojnë apo t’i shpërndajnë. “Jo çdo gjë që qarkullon është lajm. Dhe jo çdo lajm që qarkullon është i vërtetë”, përfundoi Hysi.
