
Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka vlerësuar forcën e Barcelonës në prag të përballjes në Champions League, por ka theksuar se skuadra e tij synon t’i japë fund ecurisë pozitive të katalanasve. Tekniku spanjoll veçoi Lamine Yamal dhe Pedrin si lojtarë që mund të bëjnë diferencën.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Enrique theksoi se përballja është e rëndësishme, por nuk mund të konsiderohet finale, pasi kompeticioni është ende në fazat e para.
“Formati i turneut bën që të përballemi në këtë fazë, por kjo nuk është një finale”, u shpreh ai.
Trajneri i PSG-së foli edhe për talentin e Barcelonës, Lamine Yamal, duke vlerësuar zhvillimin e tij dhe duke theksuar se nuk duhet të krahasohet me Lionel Messin.
“Lamine po bën shumë mirë duke u përpjekur të jetë vetvetja. Nëse e krahason me Messin, lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave, çdo futbollist tjetër do të dilte i humbur. Ai duhet të synojë të jetë versioni më i mirë i vetes”, deklaroi Enrique.
Sa i përket mënyrës për ta ndalur sulmuesin e ri, ai ishte i qartë: “Nuk duhet ta lejojmë të marrë topin, sepse bëhet shumë i rrezikshëm. Synimi ynë është të mos lejojmë Barcelonën të ketë zotërimin e topit”.
Enrique vlerësoi gjithashtu punën e Hansi Flick, duke nënvizuar se Barcelona ka shumë lojtarë cilësorë, mes tyre Raphinha dhe Pedri. Për mesfushorin spanjoll, ai bëri edhe një krahasim të veçantë: “Pedri është si Harry Potter. Shpresoj që të mos përdorë shkopin e tij magjik”.
Në fund, trajneri konfirmoi ambicien e PSG-së për të qenë skuadra që do ta mposhtë Barcelonën për herë të parë këtë sezon.
“Ky është një motivim shtesë për ne. Duam të jemi skuadra e vetme që arrin ta mposhtë Barcelonën”, përfundoi Luis Enrique.
