
Humbja 0-3 ndaj Lazios ka shtuar pakënaqësinë te tifozët e Juventusit, të cilët kanë vërshëllyer skuadrën në fund të ndeshjes. Në mes të kritikave është Luciano Spalletti, ndërsa emri i Antonio Contes po përmendet gjithnjë e më shumë si një alternativë për stolin bardhezi.
Juventusi po kalon një moment të vështirë dhe disfata e rëndë 0-3 ndaj Lazios në “Allianz Stadium” ka thelluar krizën te bardhezinjtë. Pas përfundimit të takimit, tifozët shprehën hapur pakënaqësinë e tyre, duke vërshëllyer skuadrën për paraqitjen zhgënjyese.
Në qendër të kritikave është vendosur edhe trajneri Luciano Spalletti, pozicioni i të cilit po diskutohet gjithnjë e më shumë. Ndërkohë, në debatet mes tifozëve në rrjetet sociale po fiton terren emri i Antonio Contes, i cili shihet nga një pjesë e tyre si njeriu i duhur për të ndryshuar situatën.
Trajneri aktual i Napolit ka tërhequr vëmendjen edhe me deklaratat e tij të fundit, ku u shpreh se dëshironte të drejtonte një prej klubeve që, sipas tij, kishin humbur lidhjen me historinë e tyre. Këto fjalë janë interpretuar nga disa tifozë si një referencë e mundshme për Juventusin.
Çështja e mundësisë së rikthimit të Contes te Juventusi u diskutua edhe në emisionin sportiv italian Pressing.
Alessio Tacchinardi, ish-shoku i skuadrës së Contes te bardhezinjtë, vuri në dukje se trajneri italian mund të ishte personi i duhur për të ndryshuar mentalitetin e skuadrës.
“Nuk e di nëse do ta pranonte, ndoshta do t’i dërgoj një mesazh… Vetëm ai mund t’i japë kësaj skuadre kthesën mendore”, u shpreh Tacchinardi.
Edhe gazetari Riccardo Trevisani u tregua i bindur se Conte mund të ishte i gatshëm për një sfidë të tillë.
“Ai do të vinte me vrap! Edhe me këtë skuadër? Por ai do të kërkonte të kishte fjalën e tij në merkato”, deklaroi Trevisani, duke nënvizuar se një rikthim i mundshëm do të shoqërohej edhe me kërkesa për përforcimin e ekipit.
