Erion Veliaj: Do të ndërtojmë treg të ri agroushqimor në Lundër. Thyejmë monopolin e privatit

Fermerët e Tiranës do të lehtësohen nga barrierat e vendosura për shitjen e prodhimeve të tyre nga privatët. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në konferencën “Gratë në zhvillimin rural”, ka deklaruar se monopoli i tregut ushqimor do të marrë fund me qendrën më të madhe tregtare publike, që do krijohet në zonën e Lundrës, ku të gjithë fermerët mund t’i shesin produktet e tyre.

Me Ministrinë e Bujqësisë dhe AZHBR-në kemi kohë që planifikojmë një treg ushqimor pa barriera. Sot jemi në një situatë monopoliste në Tiranë, pasi në Kashar ekziston një treg privat, i cili ka vendosur një barrierë, ku nuk ka rëndësi nëse sjell lakër, apo luleshtrydhe, por paguan për arkë një taksë që përkthehet në kosto për fermerët, por edhe për përdoruesin fundor në tavolinën e bukës. Ky monopol duhet të marrë fund. Kjo është arsyeja pse ngjitur me qendrën tregtare në zonën e Lundrës jemi duke ndërtuar tregun më të madh ushqimor publik, për t’u siguruar që fermerët e kurorës së Tiranës të kenë një treg pa barriera”, u shpreh Veliaj.

Për këtë, ai tha se bashkia ka marrë modelet e qendrave të mëdha agroushqimore italiane, të cilat shërbejnë edhe për promovimin e prodhimeve të fermerëve, si ata që kultivojnë pak, ashtu edhe ata që prodhojnë me shumicë.

SHKARKO APP