Erion Veliaj inspektim te shkolla e re që po ndërtohet

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet në shkollën 9-vjeçare “Xhezmi Delli”, e cila po rindërtohet më e fortë dhe më cilësore se ç’ishte më parë. Veliaj tha se shkolla do jetë gati për të mirëpritur nxënësit në vitin e ri shkollor.

“Për Njësinë 3, por sidomos për të gjithë prindërit që i çojnë fëmijët në shkollën “Xhezmi Delli”, kjo është një ditë e bukur. Siç e shikoni, kantieri ka filluar. E di që prindërit e kanë pritur prej vitesh këtë. Ne i kemi ndarë shkollat në dy lote: Ka qenë një lot i Bashkisë së Tiranës dhe loti tjetër me donatorët, si PNUD dhe Bashkimi Evropian. Ndërtimi i kësaj shkolle na erdhi e dhuruar me një paketë shkollash të tjera, si “Besnik Sykja”, “Asim Vokshi” dhe “Emin Duraku”. Për shkak të procedurave të Bashkimit Evropian dhe PNUD, ndërtimi i tyre mori pak më shumë kohë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku i cilësoi si ‘sport’ reagimet e opozitës për çështjen e rrugës “4 Shkurti”, e cila u emërtua si “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, në përkujtim të viktimave të masakrës së 1944.

“Xhezmi Delli është një emër dëshmori, Hero i Popullit, dhe për të gjithë ata që sa herë vjen fushata, sa herë fillojnë këto muhabetet politike, kujtohen se duhet të heqin emrat e dëshmorëve. Emri i Xhezmi Dellit nuk do të hiqet, emri “Dëshmorët e 4 Shkurtit” nuk do të hiqet, Emin Duraku nuk do të hiqet, Asim Vokshi nuk do të hiqet, as emri i Avni Rustemit e kështu me radhë. Ky është një vend që vërtet politikën e ka sport, por çdo gjë me masë. Edhe në një sport, edhe në një ndeshje, edhe fanatiku më i madh, nuk e dhunon tjetrin e palës kundërshtare”, sqaroi Veliaj.

Ai tha se Tirana është një qytet që i ka respektuar të gjithë dhe se rruga “Ibrahim Rrugova”, jo vetëm që nuk është shkurtuar, por është zgjatur deri te Diga e Liqenit.

SHKARKO APP