Home POLITIKE Fondacioni it...

Fondacioni italian mbjell ullinj në Parkun Europa, Veliaj: Simbol i miqësisë mes dy vendeve tona

41
0

4 rrënjë ullinj autoktonë nga komuna italiane e Termolit, në provincën e Molises, iu dhuruan kryeqytetit shqiptar nga përfaqësuesit e Fondacionit “Lions Club-Campobasso”, si një mesazh paqeje dhe përbashkimi. Për kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, konkretizimi i kësaj nisme është një dëshmi e lidhjeve të forta dhe raportit të veçantë me Italinë, si dhe shprehje e miqësisë dhe vlerave njerëzore, që sipas kryebashkiakut Veliaj, do të mbeten përgjithmonë.

“Kjo është një ndihmë konkrete dhe jam i lumtur që, në sheshin Skënderbej, në sheshin e heroit tonë të madh, në sheshin që na lidh me shqiptarët e Italisë, mbjellim këta ullinj, që do të jenë këtu përgjithmonë. Ne ndoshta nuk do të jemi në këto funksione, ndoshta do të bëjmë punë të tjera, por ulliri, rrënjët, miqësia, dashuria me njëri tjetrin do të mbetet përgjithmonë”, theksoi Veliaj.

Për Veliajn, kjo iniciativë, përveç impaktit mjedisor, ka në fokus përçimin e vlerave përbashkuese të paqes dhe prosperitetit, të cilat komuniteti arbëresh i ka ruajtur dhe trashëguar brez pa brezi.

“Jam vërtet shumë i lumtur që pema e ullirit që shoqëroi shqiptarët dhe arbëreshët, kur u larguan nga Shqipëria, sot po kthehet mbrapsht. Në mënyrë simbolike, ullinjtë janë mesazhi i paqes, si ata ullinjtë që shoqëruan të gjithë komunitetin tonë arbëresh kur shkuan në Itali. Ju falenderoj shumë që keni mbajtur gjuhën, ju falendëroj shumë që keni mbajtur traditën dhe ju falenderoj shumë që sot kemi një ndihmë konkrete”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi faktin se falë bashkëpunimit dhe punës së ndershme, njerëzit mund të bëjmë gjëra të mrekullushme e të ecin përpara. Vjet në Tiranë kemi pasur 1 milionë italianë vizitorë; me shpresë, siç po duket edhe nga grupi juaj i madh, këtë vit do të kemi edhe më shumë italianë, shqiptarë të Italisë, italianë të Shqipërisë, edhe ajo që është shumë interesante është që deri para pak vitesh, vektori ishte më shumë shqiptarë shkonin në Itali. Sot është ndryshe, më shumë italianë vijnë në Shqipëri dhe do të thotë që qytetet ndryshojnë, shtetet ndryshojnë, kombet ndryshojnë, historia ndryshon, varet çfarë bëjnë njerëzit. Në qoftë se njerëzit duan bashkëpunime, duan të jetojnë duke punuar me ndershmëri duke ecur përpara, ne mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme”, përfundoi Veliaj.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit