“Gërdeci”, përveç Mediut SPAK kryen hetime edhe për korrupsion për ish-funksionarë të tjerë të lartë

SPAK ka bërë një kthesë të fortë në hetimet për tragjedinë e Gërdecit, duke nisur hetimet për akuza të rënda “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim parash”.

Ndërsa SPAK vendosi dërgimin për gjykim të Fatmir Mediut, aso kohe ministër i Mbrojtjes, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka ndarë çështjen lidhur me procedurën e shitjes së municioneve luftarake. Hetimet janë shtrirë edhe për procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes, për kompanitë e huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida. Kjo do të thotë se SPAK po heton jo vetëm Fatmir Mediun ish ministri i mbrojtjes, por të gjithë ish-funksionarët e lartë dhe persona të tjerë që kanë qenë pjesë e kësaj veprimtarie, nëse ka pasur korrupsion dhe nëse është kryer pastrim parash.

Në lidhje me këtë çështjes, pak ditë më parë u thirr dhe u mor në pyetje edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha pasi në dosjen hetimore ndodhet një shkresë, me mbishkrimin ‘për Shkëlzen Berishën’.

Një shkresë e cila sipas akteve të kohës të vitit 2008-2009 kishte dalë nga Ministria e Drejtësisë në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes pavarësisht si ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, ashtu dhe Shkëlzen Berisha kanë deklaruar se ajo shkresë është e falsifikuar dhe nuk qëndron, nga ana tjetër SPAK është duke hetuar dhe rreth këtij momenti për të parë nëse ka ndonjë lidhje të mundshme të Shkëlzen Berishën në lidhje me aktivitetin e demontimit të armëve në punishten e Gërdecit.

Hetimi po shtrihet mbi të gjithë ish-zyrtarët e kohës të cilët janë kryesisht zyrtarë në Ministrinë e Mbrojtjes, në Ministrinë e Drejtësisë apo ministri të tjera të linjës për veprën penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

SHKARKO APP