Hysaj ribashkohet me Sarrin te Lazio, mungon vetëm firma mbi kontratë!

Elseid Hysaj është gati të bashkohet me Maurizio Sarrin pas tre vitesh. Mbrojtësit shkodran i skadon kontrata me Napolin më 30 qershor dhe është i lirë të vendosë vetë për të ardhmen e tij, që duket se do të jetë në kryeqytetin italian.

Te Lazio shkodrani do të gjejë edhe dy shqiptarë të tjerë, Igli Tare, drejtor sportiv, dhe Thomas Strakosha, portier. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Hysaj është tashmë vetëm një hap larg bardhekaltërve.

Negociatat kanë përparuar, akordi është arritur, ndërsa mbetet vetëm të formalizohet ligjërisht kontrata. Hysaj kanë arritur marrëveshjen për të firmosur një kontratë 4-vjeçare, nga e cila shkodrani pritet të përfitojë një pagë pak a shumë të njëjtë me atë që merrte te Napoli, ose rreth 1.6 milionë euro neto në vit.

Lazio vendosi t’i besojë pankinën Maurizio Sarrit dhe pikërisht ky i fundit ka këmbëngulur që të afrohet Hysaj, duke qenë se të dy kanë punuar për shumë vite, te Empoli e Napoli.

 

SHKARKO APP