“I denjë për Tiranën”, promovohet të enjten dokumentari dedikuar ish-futbollistit të Tiranës, Skënder Hyka

“I denjë për Tiranën” quhet dokumentari dedikuar ish-futbollistit të mirënjohur të Tiranës, Skënder Hyka, që do të promovohet ditën e enjte në ora 12:00 në sallën e konferencave të Shtëpisë së Futbollit.

Dokumentari kushtuar ish-lojtarit të famshëm është realizuar me regji të Osman Mulës dhe me mbështetjen e FSHF-së e në kujdesin e veçantë të Presidentit Duka.

Skënder Hyka lindi në vitin 1944 në Tiranë dhe ka luajtur ka luajtur futboll me të gjitha nivelet e klubit të Tiranës, që nga ekipet e moshave dhe deri tek skuadra e parë, duke qenë nga futbollistët kryesore të klubit në vitet 1957–1974.

Hyka kreu studimet e larta në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve, duke i përfunduar në vitin 1968. Nga viti 1967–1974, ka qenë anëtar i ekipit Shpresa dhe atij Kombëtar në të gjitha aktivitetet e zhvilluara.

Skënder Hyka, ishte një prej futbollistëve më të shquar të viteve 60’-70’, i cili ka spikatur me talentin dhe aftësinë e tij, duke u bërë i dashur për tifozët anë e mbanë Shqipërisë. Pasi la futbollin e luajtur ai gjithashtu spikati edhe si drejtues i FSHF në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm apo për disa mandate radhazi si anëtar i Komitetit Ekzekutiv.

Në këtë dokumentar shokët dhe miqtë e tij risjellin kujtimet dhe emocionet personale të përjetuara me Hykën brenda dhe jashtë fushave përmes rrëfimeve të tyre për një nga personazhet më të dashur për tifozerinë bardheblu dhe kryeqytetin.

SHKARKO APP