Italia fiton me vuajtje në shtesë ndaj Austrisë, kualifikohet për në çerekfinale e “Euro 2020” (VIDEO)

Italia humbet shkëlqimin e tri ndeshjeve të para në grupe, por siguron biletën për në çerekfinale të “Euro 2020”. Skuadra e Mancinit triumfoi vetëm pas kohës shtesë 2-1 ndaj Austrisënë duelin e luajtur në “Wembley”. Të kaltrit dominuan në 45 minutat e para duke krijuar shanse të mira shënimi. Immobile u ndal nga shtylla, ndërkohë që Spinnazola dhuroi spektakël në krahun e majtë duke ju afruar më shumë golit me inkursionet e tij.

Austria në krahun tjetër do të gjente e para golin në minutën e 65-të me Arnautovic, por që do të anulohej për shkak të një pozicioni jashtë loje. Të dyja skuadrat kanë një ritëm të njëjtë, teksa Mancini aktivizoi në minutat e fundit dhe Pessina-n dhe Chiesa-n.  Ata të dy në fakt do të ishin vendimtarë në kohën shtese .

Sulmuesi i Juventusit shënoi në minutën e 95-të me një goditje të bukur me të majtën brenda zonës. Italia do të realizonte edhe një tjetër gol në minutën e 105-të. Pas një aksioni të gjatë dhe të rrëmujshëm në zonën e austriakëve, Pessina përfiton më së miri duke e dërguar në rrjetë.  Austria nuk dorëzohet dhe në shtesën e dytë vë disa herë në vështirësi portierin Donnarumma. 6 minuta nga fundi Kalajdzic shënoi me kokë për të mbajtur nën presion “axurrët” në minutat e fundit. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP