Java e 23-të e Superiores, spikasin dy super duele të shtunën

Java e 23-të e Abissnet Superiore rezervon përballje interesante për vetë formën e skuadrave dhe momentin në të cilën ndodhen. Bylis -Egnatia dhe Kukësi-Partizani, janë dy përballjet që çelin siparin e kësaj jave.

Në Ballsh, të besuarit e Shensoyt do të kenë përballë Egnatian. Dy ekipe me moral pozitiv, teksa Bylisi vjen pas fitores së artë në Laç dhe Egnatia e cila barazoi me Vllazninë, skuadrën më të mirë të momentit deri në këtë përballje.

Verilindorët e Kukësit do të kërkojnë kthesën e rezultateve, përballë Partizanit e cila shkon në këtë sfidë me moral pozitiv pas dy fitoreve radhazi me Bylisin dhe Erzenin.

Erzeni do të këtë një duel interesant me Laçin, nga ora 16:00 në “Niko Dovana”. Shijakasit vijnë pas disfatës me Partizanin dhe do të kërkojnë menjëherë reagim, si në aspektin e lojës, por edhe në atë të rezultateve. Përballë do të jetë gjithashtu një skuadër në kërkim të pikëve dhe të reagimit.

E shtuna rezervon dy super sfida të tjera. Në “Air Albania”, Tirana do të presë Teutën. Dy skuadra që vijnë pas fitoreve dhe me objektiv fitoren, edhe pse me synime të ndryshme këtë sezon.

Bardheblutë për të vijuar qëndrimin në krye dhe për të mos u dhënë shans kundërshtarëve ta ngushtojnë diferencën, e Teuta me synimin për të mbetur jashtë zonës së ftohtë në fund të klasifikimit.

Super sfida tjetër është ajo mes Vllaznisë dhe Kastriotit, me kuqeblutë që në shtëpinë e tyre do të provojnë të rikthehen te fitoret për të mos humbur edhe më shumë terren nga ecuria e Tiranës kryesuese.

SHKARKO APP