Juventus-Napoli hap javën e 15-të në Seria A, pritet një duel spektakolar

Java e 15-të e Seria A do të hapet me një super ndeshje mes Juventusit dhe Napolit. Juventus deri tani ka qenë e vetmja skuadër që ka mbajtur hapin e Inter, me vetëm dy pikë më pak në klasifikim se zikaltërit ka shansin që me një fitore të marrë kreun duke rritur presionin ndaj skuadrës së Inzaghit që pret të shtunën në mbrëmje Udinezen.

Napolit i duhet të reagojë pas një disfatë të rëndë, 3-0 të pësuar në shtëpi ndaj Interit, por për ta bërë këtë i duhet të bëjë mrekullinë përballë një Juventusi që në Torino di të shfrytëzojë më së miri pragmatizmin e Allegrit, pasi bardhezinjtë janë skuadra që kanë marrë më shumë pikë në shtëpi në këtë kampionat, plot 17 në 7 ndeshje me 5 fitore dhe 2 barazime.

Për Zonjën e Vjetër është momenti për të thyer edhe një tabu, duke qenë se nuk kanë fituar asnjë nga 4 ndeshjet e fundit me Napolin, duke humbur 3 prej tyre, përfshirë edhe një rezultat 5-1 të rëndë sezonin e kaluar.

Gjithsesi Juventus Stadium nuk është aq i frikshëm për Napolin, që aty ka humbur vetëm 1 nga 7 ndeshjet e fundit të kampionatit, por të kaltërit duhet të sistemojnë fazën mbrojtëse duke qenë se në dy ndeshjet e fundit në Champions e kampionat kanë pësuar plot 7 gola nga Reali dhe Interi.

Juventusi vjen pas një fitoreje karakteri ndaj Monzës të siguruar në frymën e fundit, dhe kërkon të vazhdojë rrugën e suksesit, duke kuptuar çdo javë e më shumë se e kanë potencialin për të sfiduar Interin për titullin kampion.

SHKARKO APP