Analiza/Parmbrëmë parlamenti europian e rrëzoi politikisht, kurse sot Komisioni Venecias e quajti “mazhorancë antikushtetuese”

Brenda 24 orëve qeveria “Rama” ka marrë disa goditje të forta nga ndërkombëtarët. Parlamenti Europian miratoi një rezolutë fshikulluese për Shqipërinë. Dokumenti i deputetëve thotë qartë se nuk nisin zyrtarisht negociatat me Shqipërinë, nëse nuk plotësohen 15 kushtet nga qeveria “Rama”. Kushtet nisin që nga reforma zgjedhore që nuk po votohet nga Rama dhe përfundojnë te zgjedhjet lokale, plotësimi i gjykatës kushtetuese, funksionimi me kapacitet të gjykatës së lartë, dënimi i korrupsionit dhe hetimi i dosjeve të vjedhjes së zgjedhjeve. Po dje, Komisioni i Venecias publikoi qëndrimet zyrtare për konfliktin mes Presidentit dhe qeverisë për Gjykatën Kushtetuese dhe opinionin për ligjin “Anti-shpije”. Të dy dokumentet e Venecias godasin ashpër veprimet e qeverisë “Rama” dhe sjelljen antiligjore të Parlamentit. Për debatin mbi Gjykatën Kushtetuese, ekspertët ndërkombëtarë thonë se nuk ka asnjë shkelje nga Presidenti Ilir Meta në emërimin e Marsida Xhaferrallrit. Ekspertët shkojnë dhe më tej kur akuzojnë hapur Kuvendin dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi të drejtuar nga Dvorani për shkelje ligjore me votimin e Arta Vorpsit për Gjykatën Kushtetuese. Për ligjin e medias edhe njëherë ekspertët i kujtojnë qeverisë se ka nevojë për ligj kundër shpifjes, por jo në mënyrën censuruese siç e mendon kreu i qeverisë.

Qëndrimet e Parlamentit Europian dhe Komisionit të Venecias janë ndër mesazhet më të forta që institucionet ndërkombëtare japin kundër qeverisë së një vendi. Parlamenti Europian politikisht e ka rrëzuar kabinetin “Rama”. Bllokimi i negociatave dhe renditja e 15 kushteve, mes të cilave dhe ato që kanë të bëjnë dhe me legjitimitetin e një qeverie, nuk janë kritika, por distancim i qartë i Brukselit nga kabineti i kryeministrit shqiptar. Nuk ka më rëndësi se çfarë thotë ndonjë komisioner apo ndonjë kompani lobimi i qeverisë për integrimin. Dje, Parlamenti Europian vendosi një vijë të kuqe për negociatat duke treguar se problemi nuk është metodologjia e negociatave, por qeveria.

Nëse Parlamenti Europian e rrëzoi qeverinë politikisht me 15 kushtet e vendosura, Komisioni i Venecias e rrëzoi nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese. Dy opinionet janë të gjitha kundër qeverisë dhe tregojnë një mazhorancë që shkel ligjet, Kushtetutën dhe injoron ekzistencën e institucioneve të tjera në një shoqëri demokratike. Në tre vite qëndrimet e Komisionit të Venecias nuk i kanë dhënë asnjëherë të drejtë qeverisë “Rama” në nismat e saj ligjore. Në këtë pikë, nuk kemi të bëjmë më me paaftësi, por me një tendencë të qëllimshme të qeverisë për të rrëzuar themelet e një shteti demokratik.

Venecia e ka kapur qeverinë në skenën e krimit duke shkelur Kushtetutën me dhjetëra herë, ndërsa Parlamenti Europian po e ndëshkon për dështimet e njëpasnjëshme me reformat politike. Ndërkombëtarët po na thonë troç se Shqipëria nuk ka institucione, nuk ka demokraci, nuk ka zgjedhje dhe qeverisja po i ngjan një regjimi despotik. Pasojat e këtij regjimi po i vuan çdo qytetar shqiptar dhe interesave të vendit. Ndërkombëtarët nuk mund të bëjnë më shumë se kaq. Po denoncojnë krimet qeveritare dhe po vënë në dukje gjithë problemet që ka sot Shqipëria. Pjesa tjetër e zhvillimeve është në dorën e qytetarëve shqiptarë dhe askush nuk mund t’i ndihmojë nëse nuk ka reagim. Integrim në BE nuk ka, reformat kanë mbetur në vend numëro dhe institucionet janë drejt degradimit. Të vetmet zhvillime “pozitive” qeveria quan koncesionet, të cilat janë vjedhje e hapur e pasurisë publike dhe taksave të qytetarëve. Nëse qeverisja e Edi Rama lejohet të vijojë me tej edhe pas kaq skandalesh, ajo nuk do të prodhojë asgjë tjetër veçse koncesione, tendera korruptiv dhe keq qeverisje. Qytetarët nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër përveç demonstratave për të rrëzuar tiraninë e rilindjes.

Opozita po përgatitet./Q.Xhani/

 

SHKARKO APP