Kryeministri që fshihet pas ministres Elisa Spiropali, kur sulmon ndërkombëtarët

Nga Mili Xhani, kryeredaktor i KOHA JONE.

Dje u pa se sa trim është Edi Rama në përballjet me të huajt. Që prej disa javësh kryeministri ndodhet nën sulmet dhe kritikat e ndërkombëtarëve prej dëshirës së tij për të marrë çdo pushtet. Së fundmi futi duart dhe në Kushtetutë me Myslim Murrizin.

Zyrtarët më të lartë të Partive Popullore Europiane, që kanë shumicën në parlamentin europian, kanë reaguar ashpër dje për ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës nga Edi Rama dhe Partia Socialiste. Michael Gahler, zëdhënës i PPE dhe eurodeputet, Patrick Voller, Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në PPE dhe Doris Pack, kryetare e Forumit të Gruas në PPE, e kanë cilësuar votimin e së enjtes në Parlament si një hap të rrezikshëm për demokracinë në Shqipëri dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Forumi i PPE është organizata më e rëndësishme politike në Europë. Shumica e qeverive të vendeve të BE, shumica e Parlamentit Europian dhe drejtuesit e institucioneve të KE janë pjesë e këtij forumi politik. Për këtë arsye mesazhet që zyrtarët e këtij grupimi politik kanë bërë dje për zhvillimet në Shqipëri janë sinjale të qarta të zhgënjimit që institucionet e BE kanë me qeverinë “Rama”.

Por më shumë se denoncimi i votimit jo konsensusual për kushtetutën, në apelin e përfaqësuesve të BE bie në sy thirrja dhe apeli i hapur për reagim të qytetarëve shqiptarë.  Zëdhënës i PPE Michael Gahler, pasi i cilëson ndryshimet kushtetuese si ndryshim i njëanshëm i rregullave të lojës dhe garanton se BE do të ndjekë nga afër procesin, thotë në mënyrë të qartë se qytetarët shqiptarë dhe partitë duhet të reagojnë për të mbrojtur demokracinë. “Nëse kjo qeveri dëshiron vërtet hapjen e negociatave me BE, si mund të mos pranojnë këshillat e Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare për një çështje kaq të ndjeshme dhe themelore për demokracinë. Grupi i PPE do të monitorojë me kujdes veprimet e ardhshme lidhur me kodin zgjedhor dhe do të nxisë me forcë që të arrihet konsensusi me opozitën brenda Këshillit Politik. U takon partive dhe popullit shqiptar të mbrojnë demokracinë dhe perspektivën e tyre evropiane”,- deklaron eurdeputeti Gahler që përfaqëson dhe qëndrimin zyrtar të PPE.

Mesazhi nuk lë vend për keqkuptime dhe as për delikatesë diplomatike. BE nuk e pranon sjelljen e qeverisë “Rama” dhe qëndrimet i ka mbajtur prej vitesh me mos hapjen e negociatave. Ndëshkimi politik ndaj dështimit të reformave është dhënë në forma të ndryshme nga Brukseli, duke ndërprerë fondet, si dhe duke penalizuar procesin e integrimit. Kjo metodë e Brukselit për të mbajtur nën kontroll qeveritë problematike nuk ka dhënë efekt dhe mesa duket vet qeveria “Rama” nuk është më e interesuar për integrimin në BE. Përderisa çdo vendim i saj shkon kundër BE dhe minon negociatat edhe vetë diplomatët po pranojnë se mekanizmat kontrollues, siç janë hapja e negociatave dhe presioni për reforma nuk po funksionojnë. Ndaj dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërkombëtarët po u drejtohen partive opozitare dhe qytetarëve që të reagojnë më fortë kundër paligjshmërisë se qeverisë “Rama”. Apelet për qytetarët që “të mbrojnë demokracinë dhe perspektivën e tyre evropiane” nuk janë deklarata për konsum politik dhe as qëndrime për lobimesh financare si ato që vijnë nga mbështetësit e huaj të Edi Ramës, të cilët thonë se reformat në Shqipëri po ecin. BE po flet hapur për rrezik ndaj demokracisë shqiptare dhe largim nga Europa. Mesazhe të tilla bëhen vetëm për vende që janë në prag ose në diktuara të zyrtarizuara. Thirrja e djeshme e BE për reagim të qytetarëve shqiptarë dhe opozitës duket se shqetësoi më shumë se të tjerat Edi Ramën.

Por Edi Rama nuk doli vetë të kundërshtonte PPE dhe BE. Nxori ministren Elisa Spiropalin dhe i shpalli “armiq të popullit” , si dhe akuzoi për ndërhyje në punët e brendshme PPE. Deklarata të tilla të papërgjegjshme tregojnë ndarjen e fortë që po krijohet mes Shqipërisë dhe BE për faj të qeverisë “Rama”. Më ketë ritëm nuk është çudi që zgjedhjet e ardhshme, pasi shkatërroi reformat dhe ka përkeqësuar çdo gjë në vend, kryeministri të bëj fushatë kundër BE dhe ndërkombëtarëve në emër të sovranizmit.

Megjithatë krizën dhe shkatërrimin e demokracisë në Shqipëri nuk mund ta zgjidhin vetëm ndërkombëtarët. Që marrëzia anti-ligjore dhe anti-perendimore e rilindjes të marrë fund duhet që së pari të reagojnë vetë shqiptarët dhe partitë opozitare.

Fakti që kryeministri po fshihet pas ministres simpatike Spiropali tregon se tashmë asnjë ndërkomëtarë seriozë nuk e beson më Ramën, përveç ndonjë ambasadori të huaj që ka qejf fustanet e zyrtarëve të tija!

 

 

 

SHKARKO APP