Përparim Spahiu, një nga bankierët më të suksesshëm të vendit: Shqipëria rrezikon të vuajë tkurrjen më të thellë ekonomike që nga viti 1997

Intervistë ekskluzive për KOHA JONE me ish-deputetin e LSI, Përparim  Spahiu, një nga bankierët më të suksesshëm të Shqipërisë.

Pyetje 1: Ku rrezikon të përfundojë ekonomia shqiptare me këtë qeverisje?

Askush nuk mund ta fshehë më që ekonomia është̈ në një̈ situatë jashtëzakonisht të vështirë̈. Rënia ekonomike rrezikon të jetë dyshifrore në tremujorin e dytë të këtij viti. Për gjithë̈ 2020-n Shqipëria rrezikon që të vuajë tkurrjen më të thellë ekonomike që nga viti 1997.  Papunësia po rritet nga dita në ditë, bizneset, sidomos ato të vogla, po mbyllen, numri i të varfërve rrezikon të dyfishohet, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore. Është̈ shumë e lehtë për qeverinë̈ që gjithë̈ fajin t’ia hedhë situatës së krijuar nga pandemia. Por, jo. Rrënjët e krizës janë̈ shumë më të thella. Ato janë̈ të lidhura me një̈ keqqeverisje të paprecedentë që prej vitit 2013, çka ka bërë̈ që vendi të përballet pothuajse “lakuriq”, me pandeminë̈ që ka mbërthyer gjithë̈ botën. Le ti marrim me radhë:

-Borxhi real publik i vendit, që para fillimit të pandemisë̈ ishte rreth 72% e prodhimit të brendshëm bruto, rreth 7 pikë për qind më i lartë se ai që deklaroi zyrtarisht qeveria, duke përfshirë̈ dhe detyrimet e prapambetura. Ky borxh i lartë, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit (që e kanë këtë̈ borxh deri në rreth 50% të PBB-së, me përjashtim të Malit të Zi), nuk i lejoi qeverisë që të stimulonte ekonominë̈ në momentin që vendi u detyrua të shkonte në karantinë të detyruar. Si rrjedhojë, mbështetja e drejtpërdrejtë ishte më e ulëta në rajon, me më pak se 1% të PBB-së, ndërsa kreditë̈ sovrane ishin vetëm një̈ shou, dhe kjo vërtetohet nga përdorimi i ulët i saj nga bizneset, vetëm me një̈ të tretën.

-Reformat strukturore nuk kanë funksionuar dhe Shqipëria vijon të mbetet vendi me paga, produktivitet dhe konkurrueshmëri më të ulët, sipas të gjitha renditjeve ndërkombëtare. Politika fiskale e ndjekur nga qeveria, duke u rritur barrën fiskale bizneseve të mëdha ka rezultuar një dështim i vërtetë. Sipërmarrjet private kanë ulur investimet, të cilat ranë me 3.8% në vitin 2019, sipas statistikave zyrtare. Rritja e taksave nuk ka arritur të reflektohet as në shtim të të ardhurave, për shkak të evazionit të lartë. Të ardhurat buxhetore në vitin 2019 ishin sa 27.3% e PBB-së, kundrejt 27.6% në vitin 2016.

-Që prej vitit 2015 qeveria ka ndërmarrë një sërë projektesh koncesionare, që po tregojnë se përveçse afera korruptive, në kurriz ta taksapguesve, nuk kanë sjellë asnjë dobi për banorët e këtij vendi. Çdo vit, buxheti i shtetit paguan mesatarisht 100-120 milionë euro për pagesa koncesionare të dyshimta, shumë që është e barabartë me rreth 15% të shpenzimeve kapitale. Imagjinoni se çfarë do të ishte bërë me 1 miliardë euro që kanë shkuar dhe  do shkojnë për pagesat koncesionare në 10 vjet, apo dy miliardë̈ euro për 20 vjet.

-Ekonomia doli zbuluar që në vitin 2019, kur rritja, që ishte fryrë prej projekteve madhore të gazsjellësit TAP, hidrocentraleve mbi Devoll dhe energjisë së prodhuar nga moti i favorshëm, u shfry menjëherë, duke zbritur në 2.2%, niveli më i ulët nga viti 2013, kur edhe të majtët morën qeverinë. Edhe të ardhurat kanë mbetur në 30% të PBB-së, më të ulëtat në Europë (përveç Kosovës), duke treguar se rritja ekonomike ka qenë false, përderisa nuk ka prodhuar mirëqenie tek individët. Kështu kemi 7 vite të humbura kot, si rrjedhojë e qeverisjes së dështuar dhe të papërgjegjshme, mungesës së politikave zhvillimore, rritjes së evazionit fiskal dhe shtimit të korrupsionit, i lidhur me keqpërdorimin e të ardhurave buxhetore.

Për t’iu rikthyer pyetjes suaj, pandemia vetëm sa pritet të thellojë varfërinë që ishte shtuar si rrjedhojë e keqqeverisjes së viteve të fundit. Nuk ka asnjë sinjal në horizont se qeveria parashikon të hartojë një plan rimëkëmbje në mbështetje të ekonomisë, bizneseve dhe individëve. Pas një ndihme qesharake të detyruar gjatë periudhës së karantinës, bizneset po lihen tani në mëshirën e fatit, duke rrezikuar një cikël zinxhir, që do të shoqërohet me rritjen e papunësisë, uljen e konsumit dhe shtimin e numrit të të varfërve në vend.

Pyetje 2: Pse nuk i rriti pensionet Edi Rama?

Rritja ekonomike në gjithë këto vite ka qenë e cunguar, spontane dhe shteti nuk ka pasur asnjë rol në nxitjen e vlerës së shtuar dhe produktivitetit në ekonomi, përkundrazi ka ndrydhur konkurrencën e lirë, duke favorizuar vetëm një grup biznesesh të caktuara dhe duke kanalizuar një pjesë të rëndësishme të fondeve të buxhetit drejt tyre. Shqipëria vijon të ketë ende si avantazh kryesor konkurrues krahun e lirë të punës. Investimet në teknologji mungojnë, ndryshe nga fqinjët, sidomos Serbia dhe Maqedonia që po tërheqin gjithë investimet e huaja, madje Maqedonia me politikat e saj nxitëse po tërheq edhe sipërmarrjet shqiptare.

Pse e vë theksin te mungesa e konkurrueshmërisë dhe investimeve të huaja? Sepse arsyeja kryesore që qeveria sot nuk ka para të rrisë pagat e pensionet, përveç shpërdorimit të parave me koncesionet, është se ekonomia shqiptare nuk arrin të gjenerojë të ardhura. Buxheti i shtetit, pavarësisht se ka taksat më të larta në rajon, mbledh sot vetëm rreth 27% të PBB-së si të ardhura nga taksat e tatimeve, nga 35% të PBB-së në Maqedoni dhe rreth 40% të PBB-së në Serbi, një nivel që është ndër më të ulëtit në Europë. Si rrjedhojë, qeveria e Edi Ramës, nuk arrin të grumbullojë paratë e nevojshme në buxhet, që do të mundësonin që një pjesë e tyre të përdoreshin për rritjen e pensioneve, që sot janë në nivele mjerane.

Arsyeja tjetër është e lidhur me prioritetet e kësaj qeverisjeje, që siç po vërtetohet nga dita në ditë nuk fokusohen te rritja e mirëqenies së njerëzve të zakonshëm, por tek pasurimi i një grushti njerëzish të lidhur me pushtetin.

Shqipëria nuk ka arritur të ndërtojë këto vite një reformë eficiente të pensioneve, ndonëse në vitin 2015, ajo ndërmori një project të gjerë, duke rritur gradualisht moshën e pensionit për burrat dhe gratë. Banka Botërore në një raport të fundit vlerëson se shpenzimet e pensioneve në Shqipëri janë ndër më të ulëtat në rajon dhe në Europë, ndonëse niveli i kontributeve që paguhet nga punëmarrësit është më i larti në rajon dhe në norma të krahasueshme me vendet e zhvilluara. Informaliteti i lartë në tregun e punës, i lidhur me nivelin e lartë të sigurimeve është gjithashtu një tjetër faktor pengues, që i ka mbajtur pensionet në nivele të ulëta. Në vitin 2019, sipas të dhënave zyrtare nga tabelat fiskale të Ministrisë së Financave, rreth 32% e totalit të shpenzimeve buxhetore shkojnë për të subvencionuar skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, nga 31% në vitin 2014, një tregues i qartë se reforma e pensioneve ka qenë e dështuar.

Pyetje 3: Sa humbim nga koncensionet dhe PPP me firmat e qeverisë së Ramës?

Po ju them vetëm një fakt të thjeshtë. Që prej vitit 2015-2016 qeveria shpenzon mesatarisht rreth 25-30 milionë euro në vit për pagesat e tre koncesioneve në shëndetësi, check-up, dializë dhe sterilizim. Rreth 3 milionë̈ euro në vit kanë qenë pagesa për shërbime që nuk janë kryer për koncesionin e check-up-it, ndërsa 6-7 milionë euro të tjera janë fitime të kompanive. Pra 10 milionë euro të hedhura çdo vit në kosh, pa folur më pas për eficiencën e këtyre koncesioneve, ku mjafton të përmend vetëm shpërdorimin e parave që bëhet për pagesat e koncesionit të sterilizimit, ku sterilizimi i një seti operacionesh kushton më shumë se puna e vetë mjekut kirurg. Imagjinoni se çfarë do të ishte bërë me sistemin shëndetësor, nëse këto para, më shumë se 50 milionë euro në pesë vjet, do të ishin përdorur direkt nga buxheti i shtetit për riparimin e spitaleve, apo ndërtimin e spitaleve të reja. Ku jemi sot? Vendi po përballet me pandeminë më të madhe që ka njohur ndonjëherë dhe i gjithë investimi i bërë këto vite për koncesionet në shëndetësi është tërësisht i pavlefshëm. Sot buxheti i shtetit nuk ka para që të vërë në punë spitalet e Covid 3 dhe 4. Kjo është pak të thuash keqmenaxhim, por ky është një krim i përmasave të jashtëzakonshme që u është bërë qytetarëve të këtij vendi, për të cilin askush nuk ka mbajtur përgjegjësi.

Në vitin 2021, kur koncesionet do të rikthehen në eficiencë të plotë, pasi këtë vit një pjesë e tyre u pezulluan, buxheti do të shpenzojë rreth 40 milionë euro në vit, duke përfshirë dhe koncesionin e fundit, atë të laboratorëve, sërish një krim makabër në sektorin e shëndetësisë, pasi u mbyllën laboratorët e stetit, për t’i hapur rrugë privatit.

U zgjata më shumë te koncesionet e shëndetësisë për të sjellë konkretisht shembullin se këto të ashtuquajtura partneritete publike private nuk kanë sjellë asnjë dobi për publikun, por vetëm për privatin. Vetë Ministria e Financave në raportet e saj monitoruese e ka pranuar se rrezikun financiar e mban shteti, ndërsa private është i mbrojtur. Në këtë linjë janë koncesionet e inceneratorëve apo koncesionet e rrugëve me kosto të tej fryra.

Në mënyrë qesharake, pasi u dhanë gjithë këto koncesione të pastrudiuara, vetëm pak muaj më parë u miratua kuadri i duhur ligjor për mbikëqyrjen e tyre, pas këmbënguljes së institucioneve ndërkombëtare.

Për ta përmbledhur, koncesionet janë piramidat e reja financiare, që i ka krijuar qeveria me duart e veta, por që, për fat të keq, kostot e tyre do t’i mbajnë përsipër të gjithë taksapaguesit shqiptarë.

Pyetje 4: Çfarë duhet të bëjë qeveria e re PD-LSI pas zgjedhjeve?  

Sfida më e madhe e qeverisë së re do të jetë rikthimi i besimit, dhe shpresës, ndalimi i hemorragjisë së emigracionit të popullsisë, sidomos të rinjve. E vështirë por jo e pamundur.  Kthimi i besimit bëhet duke i bindur banorët e këtij vendi të bekuar se politikat qeverisëse kanë ata të parët dhe synojnë rritjen e mirëqenies së tyre. Kjo është vërtet e mundur përmes një reforme të thellë në administratë, që do të përmirësojë shërbimin ndaj qytetarëve, do të reduktojë burokracitë për biznesin dhe do të mundësojë një mjedis të drejtë dhe konkurrues. Të kombinuara me uljen e taksave dhe thjeshtëzimin e sistemit tatimor, kjo do t’i sjellë më shumë frymëmarrje ekonomisë. Sa i përket sfidës tjetër madhore, atë të frenimit të ikjes së të rinjve, fokusi do të jetë në tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta që nxisin teknologjinë e informacionit, të kombinuar me edukimin e brezit të ri për t’iu përgjigjur nevojave të tyre. Pandemia mund të shihet si avantazh në këtë drejtim, pasi shumë kompani të huaja do të tentojnë të bëhen më eficiente duke shkurtuar zinxhirin e prodhimit ose shërbimeve.  Të rinjtë shqiptarë janë dinamikë, të zgjuar, ambiciozë mësojnë shpejt gjuhë të huaja. Ata thjesht kanë pasur fatin e keq të jetojnë në një vend, që ndonëse i bekuar nga natyra, ka vuajtur pasojat e keqqeverisjes. Duke iu ofruar atyre punë të mirëpaguara, kombinuar me një sistem arsimor efecient, mund të ndalohet ky eksod masiv që, nëse vazhdon, do të ketë pasoja të rënda për vendin. Krijimi i vendeve të punës, të zgjuara dhe të mirëpaguara, do të jetë në fokusin e politikave të PD-LSI.

Pyetje 5: A është e mundur rritja e pensioneve me qeverinë tuaj pas zgjedhjeve?

Patjetër që po. Ashtu siç e shpjegova dhe më lart, nxitja e ekonomisë së lirë dhe konkurrencës, nxitja e industrive me vlerë të shtuar, promovimi i start-up-eve, shpirtit të sipërmarrjeve, do të thyejnë mallkimin e këtij vendi të bekuar sa i përket pasurive natyrore, por që po vuan për drejtues e politikanë të papërgjegjshëm.

Nxitja e ekonomisë, që nga ana e saj do të sjellë rritje të të ardhurave buxhetore është çelësi që do të bëjë të mundur përballimin e rritjes së pensioneve. Natyrisht kjo do të shoqërohet me një rritje të eficiencës së shpenzimeve buxhetore, duke ofruar shërbime më të mira për shtresën e tretë, përfshirë ato shëndetësore.

Ndalimi i hemorragjisë̈ së ikjes së të rinjve do të ndihmojë gjithashtu në përmirësimin e raportit kontribues-përfitues, duke ulur presionin mbi skemën e pensioneve.

Pyetje 6: A ka forma që bankat të ulin përqindjet e interesit për biznesin e mesëm dhe të vogël?

Në fakt interesat e kredive janë në nivele të ulëta, rreth 4-6% për kreditë në lekë. Problemi në vetvete nuk është tek interesat, sesa te mungesa e dëshirës së bizneseve dhe individëve për të marrë kredi, siç ka rezultuar dhe nga vrojtimet e fundit të Bankës së Shqipërisë. Shqetësim im është se pasi sistemi bankar të fillojë të ndjejë pasojat e krizës, në momentin kur pas mbarimit të moratoriumit do të rriten kreditë me probleme, atëherë interesat e kredive do të rriten. Rruga e vetme për t’i ulur kostot e kredisë, por edhe për të nxitur huamarrjen në ekonomi është krijimi i fondeve të përhershme të garancisë. E kam fjalën për skema funksionale garancie, ku shteti merr përsipër të mbajë realisht një pjesë të riskut, jo si me skemat që u përdorën gjoja për mbështetetje të bizneseve në periudhën e pandemisë, ku sipërmarrjeve u leverdiste më mirë të merrnin huanë direkt në bankë sesa përmes tyre.

Pyetje 7: A mundet të kemin një qeverisje më e zhdërvjellët e jo me kaq burokraci sa kjo e Rilindjes?

Më besoni, edhe sikur të duam, nuk mund të ketë një qeverisje më të keqe sesa kjo e Rilindjes. Çdo politikë është bërë gabim. Politika fiskale është sot e dështuar. Ministria e Financave ka dy vjet që po bën ligje se si të mbyllë shtigjet e evazionit që ajo i ka hapur po vetë, përmes taksave të larta dhe pragjeve të shumta fiskale.

PD-LSI e kanë bërë shpesh të qartë që janë për një sistem tatimor të thjeshtë, me një taksë të sheshtë të nivelit të ulët.

Tërheqja e investitorëve të huaj, ku qeveria e sotme ka dështuar plotësisht, do të jetë gjithashtu një pikë e fortë jona. Ne synojmë që të shndërrojmë Shqipërinë në një vend më tërheqës sesa Maqedonia apo Serbia, duke shfrytëzuar avantazhin gjeografik, duke kualifikuar forcën punëtore dhe duke reduktuar në minimum burokracitë si dhe duke investuar në krijimin e zonave të lira ekonomike. A e dini se sa investitorë ka humbur Shqipëria vitet e fundit vetëm për shkak të burokracive, zvarritjeve dhe korrupsionit!? Ne do të thjeshtojmë procedurat e aplikimit dhe miratimit, duke eliminuar burokracitë dhe korrupsionin si dhe do të nxisim ato investime që i sjellin knoë-hoë vendit.

Pyetje 8: Ku mendoni se duhet të investojë qeverisja juaj pas zgjedhjeve?

Qeverisja jonë do të fokusohet natyrisht në nxitjen e sektorëve ku ne tradicionalisht kemi avantazhe konkurruese, si bujqësia, e lidhur me agropërpunimin, turizmi dhe i gjithë zinxhiri mbështetës i tij, infrastruktura, industria përpunuese. Por synimi ynë është që Shqipëria të kthehet në një qendër teknologjie në rajon, duke u bërë India e Ballkanit. Siç e theksova disa herë gjatë intervistës, vetëm punët me vlerë të shtuar të lartë dhe të mirëpaguara do të mund të frenojnë ikjen e të rinjve, të rrisin konkurrueshmërinë dhe të krijojnë parakushtet për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, ndryshe nga ai që po bëhet sot, kur qeveria po shet të ardhmen e brezave të rinj përmes barrës që po krijojnë në buxhet PPP-të dhe dhënieve të lejeve të pakontrolluara të ndërtimit.

Është e vërtetë që nuk mund të ketë një qeverisje më të keqe sesa kjo e sotmja, por po aq e vërtetë është se i kemi të gjitha mundësitë për të ndryshuar fatin e keq që ka pasur Shqipëria deri tani. Potencialet janë dhe ne i kemi gati strategjitë që t’i shfrytëzojmë ato.

 

SHKARKO APP