Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore

Komisioni i Ligjeve ka miratuar në mbledhjen e sotme ndryshimet në Kushtetutë. Të gjithë anëtarët e pranishëm në këtë mbledhje online të Komisionit të Ligjeve kanë votuar pro miratimit për hapjen e listave.
Deputetët miratuan gjithashtu edhe ndryshimin e pikës 2 të nenit 68 të Kushtetutës që ndalon koalicionet parazgjedhore.
Tashmë nisma në fjalë do të kalojë për votim në Parlament. Kështu, nëse në Kuvend do të votohet për miratimin e ndryshimeve kushtetuese atëherë do të ndalohen koalicionet dhe listat do të jenë të hapura, ndryshime këto që do të specifikohen edhe në Kushtetutë.
Për ndryshimet në Kushtetutë duhen 94 vota. Ndërsa për votimin e marrëveshjes mes PS, PD dhe LSI duhen 84 vota të cilat kryeministri Edi Rama thotë se nuk i ka. Vendimi i Komisionit të ligjeve pritet të sjellë reagim të ndërkombëtarëve dhe opozitës.
Ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe është një nismë që fut në kaos situatën politike në vend.

Propozimet për ndalimin e koalicioneve parazgjedhor të propozuara Rilindja dhe opozita gjasme parlamentare

PROPOZIME PËR AMENDAMENTE

(Nga relatorët)

Neni i riformuluar:

Neni 1

Neni 64 ndryshohet si vijon:

‘1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurim rajonal dhe prag kombëtar.

2. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar.

3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.’

Arsyetimi i Amendamentit:

Riformulimi bëhet në bazë të amendamenteve të dakortësuara të relatorëve që synojnë ruajtjen e sistemit proporcional rajonal me lista shumemërore, të cilat tashmë janë të hapura me futjen e nocionit të votës parapëlqyese për kandidatët në listë.

Njëkohësisht, ky riformulim adreson kërkesën për vendosjen e një pragu elektoral kombëtar që nuk duhet të jetë pengues për partitë e vogla, nuk duhet të frenojë dhe dekurajojë konkurencën politike, sikurse nuk duhet të nxisë fragmentimin e Parlamentit apo të dëmtojë stabilitetin e qeverisjes.

Detajimi i kritereve dhe rregullave për zbatimin e sistemit proporcional rajonal, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes, referohen për t’u parashikuar në Kodin Zgjedhor.

Parashikimi në Kushtetutë i votës parapëlqyese në 2/3 e listës, vendos një dysheme e cila bën të mundur rritjen e standardit të konkurueshmërisë dhe garanton, përveç të tjerave, përfaqësimin gjinor.

Neni i riformuluar:

Neni 2

Pika 1 e nenit 68 ndryshohet si vijon:

 ‘1.Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet’.

Arsyetimi i amendamentit:

Fjalia e dytë e nenit 2 në ndryshimet kushtetuese të propozuara si nismë deputetësh parashikon se: ‘Ndalohen koalicionet parazgjedhore’. Ndërkohë që në fjalinë e parë të po këtij neni, e cila propozon ndryshimin e fjalisë së parë të pikës 1 të nenit 68 parashikohet heqja e togfjalëshit ‘koalicionet zgjedhore të partive politike’ nga përmbajtja e këtij paragrafi. Heqja nga përmbajtja e pikës së parë të nenit 68 të fjalëve ‘koalicioneve zgjedhore’ do të thotë që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij projektligji koalicionet zgjedhore nuk mund të jenë me subjekte zgjedhore. Në këto rrethana është e panevojshme vendosja e një dispozite ndaluese, për sa kohë që qëllimi i qartë i fjalisë së parë dublohet me formulimin e fjalisë së dytë të të njëjtit nen.

Diskutimi i çështjes së koalicioneve u trajtua gjërësisht në mbledhjet e përbashkëta të Këshillit të Legjislacionit dhe të Komisionit për ?ështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të zhvilluara për shqyrtimin e ndryshimeve kushtetuese të propozuara. Qëllimi i nismëtarëve u shpreh qartë. Nismëtarët kërkojnë përfshirjen në mekanizmin tonë ligjor të listave të hapura dhe ky proces e bën të domosdoshëm heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Ky qëllim realizohet plotësisht nga përmbajtja e fjalisë së parë të nenit 2 dhe nuk është e nevojshme të përsëritet edhe në fjalinë e dytë.

Gjithsesi për të shprehur më qartë qëllimin e nismëtarëve, propozojmë që amendamenti të riformulohet duke hequr nga fjalia e parë e paragrafit 1, të nenit 68 togfjalëshin ‘koalicionet zgjedhore të partive politike’.

Me këtë riformulim nuk ndryshon qëllimi i dispozitës, por ajo vetëm riformulohet më thjeshtë në aspektin teknik dhe në funksion të parimit të qartësisë së normës.

SHKARKO APP